Ka humbur vendin e titullarit, trajneri për Ramadanin: Është i pakënaqur, por nuk ka lëshuar asnjë centimetër nga niveli i tij

Ramadani ka humbur vendin e titullarit te Leçja që me ardhjen e trajnerit të ri. Xhampaoli ka folur për situatën e mesfushorit shqiptar në konferencën për shtyp të zhvilluar për takimin kundër Empolit. Trajneri i verdhekuqve ka pranuar faktin se Ramadani është i pakënaqur me mungesën e minutazhit, por nga ana tjetër thekson se është sjellë në mënyrë profesioniste dhe nuk e ka zbehur aspak ritmin e tij.

“Ramadani nuk e ka ulur nivelin e tij. Ai është dukshëm i pakënaqur për faktin që nuk po luan. Por reagoi si një lojtar i pjekur, nuk u zmbraps asnjë centimetër. Më pas unë duhet të kontekstualizoj karakteristikat e lojtarëve. Përfundimisht, unë nuk do të luaj me tre mesfushorë qendre, përndryshe nuk do të bëja dot asnjë pasim. Maksimumi mund të luaj me dy mesfushorë qendre dhe një lojtar më sulmues”, ka deklaruar Marko Xhampaolo./Sport Ekspres/