Shqipëria ka shpallur sot listën provizore për Euro 2024-n. Trajneri Silvinjo ka zbuluar emrat që ka përzgjedhur për dy takimet miqësore të muajit qershor dhe ka shpjeguar zgjedhjet e tij në konferencën për shtyp. Kreu i pankinës kuqezi i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në sallë.
“Fillimisht dua t’ju them që jam krenar që jam trajner i Kombëtares shqiptare dhe që do t’i drejtoj në Europianin 2024. Mirënjohje për të gjithë lojtarët. Përzgjedhja e lojtarëve është kryer pas një procesi të gjatë analize. Është përgjegjësia e trajnerit për të bërë zgjedhjet e tij. Fatkeqësisht nuk mund t’i kemi të gjithë lojtarët. Kam marrë lojtarët më të mirë në këtë moment. Do të shkojmë të luajmë për 3 milionë shqiptarët që jetojnë këtu dhe për mbi 10 milionë që jetojnë nëpër botë.
Ka qenë e vështirë. Për fat të keq, nuk mund t’i marr të gjithë lojtarët. Duhet të marr 26 lojtarë. UEFA të lejon që tani të marrësh edhe 30 lojtarë, por nuk besoj se një numër kaq i madh lojtarësh të lejon të stërvitesh mirë. Ishte një rezultat analize, cilësish të lojtarëve, të kompeticionit, të grupit. Kualifikimet janë 10 ndeshje në disa muaj, ndërsa tani shkojnë atje për 3 ndeshje brenda 15 ditësh. Sigurisht që nese kualifikohesh mund të vazhdosh më tej.
Puna në një Kombëtare është ndryshe nga në klub. Kombëtarja është gjithmonë e hapur dhe ashtu do të jetë gjithmonë. Në miqësore provuam 2-3 lojtarë. Kemi pak kohë për të bërë një eksperiment. Jam tërësisht i bindur që harmonia në skuadër është 100%. I falenderoj të gjithë ata që kanë bërë një rrugëtim të rëndësishëm me ne. Skuadra e kupton. Unë kam qenë ish-lojtar. Kam qenë në stol, kam shkuar edhe në tribunë. Lojtarët e dinë që nuk është e thjeshtë. Kemi bërë zgjedhjet për të përballuar me sukses një fazë finale të Europianit dhe një grup shumë të vështirë.
Preferoj të flas vetëm për lojtarët që janë aty. Nuk është zgjedhje e lehtë, si për mua, ashtu edhe për trajnerët e tjerë. E vura re që nuk ishte e lehtë as për trajnerin e Spanjës. Abrashi është lojtar që ka qenë në Euro 2016. Është i vetmi që ka qenë dhe mund të përcjellë përvojën e tij. Për grintën që ka, përfaqëson më së miri shpirtin e kësaj Kombëtareje. Medon Berishën kemi 1 vit që e ndjekim. Vlerësojmë edhe punën e bërë nga U21-shi. Njësoj si Mitaj, që erdhi dhe bëri një punë të mirë. Të njëjtën gjë presim edhe nga Berisha. Për mua është gati.
Doja të merrja 23 lojtarë. Ka lojtarë që e meritojnë të vijnë këtu. Kështu është jeta, nuk është e lehtë. I kemi studiuar lojtarët në nivel individual, në grup, në bazë të skenarëve që do të ndodhin në Europian. Sigurisht që kemi edhe 10 lojtarë të tjerë të aftë për të qenë aty. Kemi besim te ky grup.
Lojtarët që nuk kanë qenë 100% gati si fizikisht, si psikologjikisht, nuk i kemi marrë. Është një lojtar për të cilin ju nuk folët. Muçollin do të doja ta merrja, por fola me të dhe me mjekun dhe nuk ishte gati. E njëjta gjë edhe për 2-3 lojtarë të tjerë. Sa i përket Brojës, është një lojtar që ju e dini më mirë se mia, i shpejtë. Një lojtar që është shumë i fortë një kundër një. Ai dhe Manaj kanë kaluar një dëmtim shumë të vështirë, por janë rikthyer të dy. Janë lojtarë që mund të japin shumë në fushë. Një kriter i yni, nuk mund t’i zgjedhim lojtarët nga fakti që luan apo nuk luan. Ka lojtarë që nuk luajnë, por te në bëjnë mirë. Broja është një lojtar që mund të bëjë gjëra të ndryshme me ne
Nuk ka të bëjë frika në faktin e shtimit të lojtarëve në mbrojtje. Shqetësim po. Rivalët i kemi parë dhe i kemi studiuar me shumë kujdes. Kemi 6 mbrojtës qendre, por nuk do të thotë që do të luajnë të 6. Dy ose tre do të luajnë. Muçi, Bajrami, Seferi, mund të luajnë në role të ndryshme. Luajnë në krahë, në qendër, pas sulmuesit. Laçi gjithashtu bën shumë role. Lojtarët që futen në fushë bëjnë disa pozicione dhe unë besoj shumë në këtë fakt. Dua të bëjmë më të mirën për këtë skuadër, për këtë vend.
Kam punuar 3 muaj për këtë listë. Ka ndryshuar shumë herë. Kjo listë përfundimtare është produkt i tre ditëe të fundit. Nuk ka të bëjë fare faza kualifikuese. Kampionati Europian është një tjetër kompeticion. Sigurisht që do të provojmë të bëjmë diçka më shumë”, ka deklaruar Silvinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/