Ka statistikat e Armando Brojës te Shpresat, ky është lojtari që merr ftesën për herë të parë te Shqipëria A

Në ditën e premte, Shqipëria do të shpall listën zyrtare sa i përket ndeshjeve të tetorit në Ligën e Kombeve. Kombëtaren tonë e presin dy transferta shumë të vështira, fillimisht do të luajë kundër Cekisë në transfertë dhe më pas do të kërkojë hakmarrjen ndaj Gjeorgjisë. Ndryshe nga lista e fundit, këtë herë pritet të ketë më shumë befasi nga Silvinjo. Deri tani është e garantuar se do të kemi debutimin e Adrion Pajazitit, të paktën në listë, pasi për ta parë në fushë, fillimisht lojtari duhet të bind Silvinjon sesa vlen.

Disa pjesëtar të stafit të Silvinjos kanë shkuar për ta parë Pajazitin në ndeshjen e djeshme që ka zhvilluar me Goricën, në elitën e Kroacisë. Ata kanë mbetur të kënaqur nga performanca e 21 vjeçarit dhe është vendosur që lojtari të jetë pjesë e Shqipërisë A. Disa kohë më parë, trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, e ka krahasuar Pajazitin me Demollarin duke e quajtur si një “Demollari i ri”.

Statistikat e Adrionit te Shpresat tona janë impresionuese dhe të përafërta me Armando Brojën në kohën kur luante te Shpresat. Pavarësisht se roli i Pajazitit është ai i një mesfushori qendre dhe të avancuar, në 13 ndeshje zyrtare me Shqipërinë U-21, ka realizuar plot 8 gola. Këto gola marrin më shumë vlerë duke ditur faktin se Shpresat tona kanë pasur edhe shumë rezultate jo të mira. Pra më shumë sesa grupi që ndihmon Pajazitin për të shënuar, ishte Pajaziti që ndihmonte grupin me golat e shënuar.

Kështu ndodhi edhe në fitoren e madhe të Shqipërisë U-21 ndaj Zvicrës U-21, 1-2 në transfertë, teksa të dy golat erdhën nga Pajaziti. Ky lojtar është rritur te Fulham dhe për disa muaj radhazi është shpallur lojtari më i mirë i muajit në kampionatin e të rinjëve. Fillimisht anglezën e huazuan në Norvegji, te Haugesund, atje ku Pajaziti shpalosi menjëherë potencialin e tij, por më pas vetë lojtari do të kërkonte mbylljen e parakohshme të huazimit pasi nuk po përshtatej me jetën në një qytet të vogël.

Kështu 21-vjeçari u kthye në Angli dhe në sezonin e fundit përgatitor me Fulham, para nisjes së sezonit të ri, u mor nga ekipi i parë. Madje Pajaziti arriti që të shënonte gol me ekipin e parë të Fulham, por për shkak se trajneri i këtij ekipi nuk i beson të rinjëve, Adrioni kaloi në elitën e Kroacisë, te Gorica. Në këtë skuadër ka marrë menjëherë fanellën e titullarit duke bërë disa paraqitje të mira, por ende pa shënuar gol. Ndërkohë në emisionin Koha Shtesë, disa ditë më parë, Pajaziti u shpreh se Silvinjo dhe Zabaleta i kanë shprehur gjithë simpatinë dhe i kanë treguar se kishin ndjekur me vëmendje të gjitha ndeshjet që Adrioni ka zhvilluar në ekipin e parë të Fulham në miqësoret përgatitore të sezonit të ri. /Sport Ekspres/