“Kam 51 ndeshje, si në Tiranë nuk kisha parë kurrë”! Trajneri i Serbisë shpërthen: Flisni ju nga TV!

Stojkovic ka qenë në qendër të kritikave në Serbi pas fjalëve të thëna pas ndeshjes në Air Albania. Trajneri i Serbisë ka vlerësuar atmosferën dhe tifozët në Shqipëri për mënyrën sesi u sollën gjatë ndeshjes, ndërsa mediat serbe u shprehën të çuditura sesi Stojkovic i doli në mbrojtje shqiptarëve që kënduan për Kosovën, për UCK dhe për Adem Jasharin. Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Andorrën, Stojkovic është pyetur në lidhje me këtë temë dhe përgjigja e tij ka qenë e prerë.  

“Keni bërë mirë që më pyetët për këtë, meqenëse nuk kam ndjekur median për katër ditë, nuk e di kush po shkruan dhe çfarë po shkruan. Po përqendrohem në punën time, t’i përgatis këta djem sa më mirë që të mundem. Fola fjalë të mira për atë mjedis futbolli, vetëm për futbollin, po flas me fjalorin e futbollit. Ajo që ndodhi në fushë ishte fantastike, kishte respektin e duhur nga të dyja ekipet, nga të dyja stolat, të tonat dhe të tyre. 

Sigurisht që gjithmonë do t’i dënoj gjërat jo-futbollistike, askush nuk i pëlqen ndërprerjet e ndeshjes. Ka institucione që merren me këto gjëra, ne nuk do t’i ndëshkojmë, dikush tjetër do t’i ndëshkojë. Ju nuk ishit atje, ju e patë ndeshjen në televizor. Disa nga kolegët tuaj që ishin në Tiranë, të gjithë do të donin të kishin këtë lloj atmosfere. Ndodhi për herë të parë, isha në këtë rol për herë të 51-të, që nuk e dëgjova himnin kombëtar. Imagjinoni çfarë shpërthimi fishkëllimash kishte nga tifozët. Ne e kënduam himnin tonë me krenari dhe kjo ishte një motivim shtesë për ne, që të mos i nënshtroheshim atij presioni dhe djemtë u sollën shkëlqyeshëm në fushë. Kjo është një fitore e madhe. 

A e mendonte vërtet dikush se do të na prisnin me duartrokitje? Sjellja e tyre është e tyre. Unë nuk jam politikan, nuk përdor fjalimin e një politikani, jam jashtëzakonisht i kujdesshëm me atë që them, komentova atmosferën në stadium dhe sjelljen… dikujt i intereson kjo. Që të mos më duhet t’ia vërtetoj askujt nacionalitetin tim, nuk mbështes askënd, dua vetëm Serbinë. Dua t’i bëj heronj, për sa kohë që marr frymë. Sa për gjëra të tjera, gjithçka ishte fenomenale për sa i përket organizimit. Besoj se do të ua kthejmë në këtë mënyrë. Le të konfirmojnë kolegët se si ishte në Tiranë. Shikoni Boca-River, do ta kuptoni për çfarë po flas”, tha Stojkovic. /Sport Ekspres/