Babai i Mirlind Dakut ka dhënë një intervistë për “Gazetën Blic”, ku ka treguar se ai dhe djali i tij nuk ishin në dijeni për ftesën në Kampionatin Europian. Fehmi Daku ka thënë se lajmin e morën në transmetim të drejtpërdrejtë nga televizori. Sa i përket paraqitjeve të vështira që e presin Shqipërinë në Gjermani, babai i Mirlindit ka thënë se djali i tij shpërthen në ndeshjet e forta dhe se ka besim që do të shënojë gol.
“Deri në momentin e publikimit drejtpërdrejtë (në TV) nuk e ka ditur as Mirlindi. Normalisht as ne. në momentin e publikimit jemi gëzuar shumë. Kemi pasur emocione dhe ndoshta nuk e kemi kontrolluar mirë veten. Por ia vlejti. Edhe Mirlindi ka qenë i emocionuar. E kemi pritur ftesën në një farë mënyre, por kur u bë publike e morëm lajmin që ishte kryer.
Besoj se Mirlindi do t’i ketë minutat te Kombëtarja shqiptare. Në ndeshjet e forta ai di të shpërthejë. Kam shumë besim që do të bëjë një paraqitje të mirë në Gjermani. Fillimisht në lojën e parë me Italinë, më pas të shohim në ndeshjet e tjera. A më ka premtuar gol? Jo, ende nuk më ka premtuar. Por besoj që do të bëjë gol dhe ka për të bëjë lojën më të mirë që e presim prej tij”, ka thënë Fehmi Daku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/