“Kam kampionë bote dhe Europe në skuadër”, kërkesa e Inzagit për lojtarët: Mos jini të fiksuar me fitoren, çlirojeni mendjen

Nesër në mbrëmje do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve. PSG-ja dhe Interi do të përballen në Mynih për trofeun më të lakmuar në eang klubesh. Simone Inzagi është paraqitur në konferencë për shtyp përballë gazetarëve, ku ka treguar se çfarë u ka kërkuar lojtarëve të tij në këtë finale. Ai ka theksuar se futbollistët nuk duhet të jenë të fiksuar me idenë e të fituarit, por të jenë të çlirët dhe të përqendruar. Nuk kanë munguar edhe vlerësimet për kampin kundërshtar, ku shpreh konsideratë të lartë për Luis Enriken.

“Kam kërkuar përqendrim dhe vendosmëri, por jo fiksim. Dua që ata ta kenë mendjen të lirë. Kemi kampionë të botës, kampionë të Europës në skuadër. Për të fituar një finale të Ligës së Kampionëve do të na duhet të japim gjithçka. Po përgatitemi për çdo detaj. Do të përballemi me një skuadër të shkëlqyer, e cila e ka merituar finalen. PSG-ja ka forcë të pabesueshme dhe një trajner të madh, të cilin e adhuroj si trajner dhe si person”, ka deklaruar ndër të tjera Simone Inzagi./Sport Ekspres/