Amir Rrahmani ka shkruar emrin e tij me gërma të arta në historinë e Napolit. Mbrojtësi shqiptar ka fituar dy tituj kampion me fanellën e kaltër, po aq sa edhe legjenda e futbollit botëror, Diego Armando Maradona. Kapiteni Kosovës ka rrëfyer në konferencë për shtyp se cilat momente i kanë mbetur në zemër nga suksesi me Napolin. Ai gjithashtu ka kujtuar kohën kur ish-drejtori sportiv i napoletanëve, Xhuntoli, e kërkoi në skuadër që pas tre ndeshjeve të tij të para në Serinë A.
“Dy çastet që i mbaj në zemër nga dy titujt e fituar me Napolin? Në 2023-shin padyshim që më kujtohet kur ishim shumë përpara në renditje, por ishte hera e parë që ishim afër fitimit të një titulli. Ishim 15 pikë përpara dhe ende kishim frikë se mund ta humbisnim.
Për titullin e dytë, ndeshja kundër Parmës ishte dramatike. Më pas ajo kundër Kaljarit dhe në fund triumfi. Dikush më tha se kisha fituar 2 tituj kampionë si Maradona dhe kjo është diçka e veçantë. Si fëmijë ëndërroja Premier Ligën. Për mua ishte liga më e mirë në botë. Por tani jam këtu dhe jam i përqendruar te Napoli.
Transferimi te Napoli? Unë sapo kisha ardhur te Verona. Pas dy apo tre ndeshjesh, Xhuntoli telefonoi menaxherin tim dhe i tha që më donte. Ai e kishte vendosur që atëherë për të firmosur me mua. Nuk mund ta besoja dhe në janar u konfirmua”, është shprehur Amir Rrahmani./Sport Ekspres/