Klevi Qefalia i është bashkuar panelit të emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN” nëpërmjet një lidhjeje direkte. Lojtari i Dinamos shënoi golin e tretë në finalen e Superkupës së Shqipërisë kundër Egnatias. 22-vjeçari tundi rrjetën nga pika e bardhë e 11 metrave, por zbuloi se zgjedhja e krahut se ku do të dërgonte topin ishte rastësore e momenteve të fundit. Qefalia ka treguar gjithashtu si nisi bashkëpunimi i tij me Altin Lalën, ndërsa shton se me Dinamon ka rinovuar deri në vitin 2028.
“Goditja e penalltisë në finalen e Superkupës? Krahun e penalltisë, është e vetmja gjë që e ndaj në momentin e fundit. Nuk kam një krahë në të cilin godas gjithmonë. Edhe jashtë mund të kem gjuajtur kur kam qenë në akademi. Por jam përmirësuar, tani po shënoj.
Bashkëpunimi me Altin Lalën? Ka qenë e dyanshme. Altin Lala po kërkonte për lojtarë me cilësi dhe djem të mirë në radhë të parë. Është gjëja e parë që ai kërkonte te një lojtar. U lidhëm nëpërmjet një personi të përbashkët, i cili e sugjeroi atë të kontaktonte me mua. U bënë 4-5 vite që jemi në kontakt me njëri-tjetrin.
Kontrata është rinovuar që përpara dy muajve. Kam rinovuar një kontratë 3-vjeçare, deri në vitin 2028. Mbaronte kontrata në fund të sezonit, por tashmë kam rinovuar. Jam lojtar i Dinamos”, ka thënë Klevi Qefalia./Sport Ekspres/