“Kam vetëm fjalë të mira për Shqipërinë”, Khvaratshkelia vlerëson kuqezinjtë: Duhet të kemi kujdes në Gjeorgji, mund të na mposhtin

Shqipëria nuk ia ka dalë dot përballë Gjeorgjisë. Kuqezinjtë janë mposhtur në “Air Albania” me rezultatin minimal 0-1. Sfida ishte e barabartë, teksa një gol spektakolar nga distanca heshti stadiumin e mbushur me ngjyrat kuqezi. Këtë herë goditja perla nga jashtë zone nuk erdhi nga e majta e Asanit, por nga këmba e Kochorashvili-t. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri dhanë intervistat e tyre për emisionin “Kuq e Zi” në “SuperSport”.

Khavatshkelia: “Kam vetëm fjalë të mira për Shqipërinë. Ne e merituam fitoren, por Shqipëria është një ekip i vështirë. Duhet të bëjmë kujdes në ndeshjen e kthimit, sepse mund të na mposhtin. Çdokush mund të dalë i pari në këtë grup”.

Silvinjo: “Komplimete trajnerit të Gjeorgjisë. Besoj se barazimi do të ishte rezultati i duhur. Kur ne kishim topin, depërtonim mes linjave. Kur e kishin ata topin, bënin të njëjtën gjë. U kthye në një ndeshje taktike deri në momentin e shënimit të golit. Ishte një ndeshje e ndryshme nga ajo me Ukrainë. I bëj komplimente lojtarëve. Ishin dy ndeshje shumë të vështira dhe shumë fizike. Nuk kam çfarë t’i them lojtarëve. Për fat të keq humbëm me një gol. Asllani po luan shumë mirë. Është një lojtar i një niveli të lartë. E pret një karrierë shumë e mirë. Hoxha është një lojtar për të cilin është folur nga jashtë që duhet të luajë. Çdo lojtar ka një rritje natyrale. Është ndryshe kur hyn në fushë nga fillimi. Sot luajti mirë, provoi 2-3 gjuajtje. Kemi fituar një ndeshje dhe kemi humbur një. Në tetor duhet të rrimë në garë dhe në nëntor duhet ta fitojmë grupin”.

Kumbulla: “Ndeshja ishte shumë e vështirë. E kishim përgatitur të tilla. Gjeorgjia luan shumë me kundërsulm. Ka dy sulmues shumë të shpejtë. Duhet të bënim një faull, nuk kemi pasur shumë faulla. Gjeorgjia është favorite e grupit. Më vjen keq për tifozët, sepse ishte një atmosferë shumë e bukur në stadium. Më ka munguar Kombëtarja për të luajtur. Jam i lumtur që kam luajtur në këto dy ndeshje, por vetëm për rezultatin nuk jam i lumtur. Për mua nuk ka diferencë nëse luaj me 3 mbrojtës apo me 4”.

Mitaj: “Në përgjithësi bëmë një ndeshje të mirë. Vrapuam më shumë. Kishim 2-3 raste. Por ata i shfrytëzuan më mirë. Loja e parë nuk është justifikim, sepse edhe ata kishin zhvilluar një ndeshje. Hapësirat në krahë i kishim më të shumta. Duhet ta kishim qarkulluar topin më shumë. Al Itihadi? Fola me menaxherin, pashë ekipet, pashë lojtarët dhe vendosa. Më thanë që do të kisha më shumë minuta, prandaj edhe shkova. Do të luaj më shumë se në Rusi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/