Elbasani ka marrë një fitore të madhe në transfertë ndaj Bylisit në shifrat 0-1. Goli i fitores u realizua nga ana e Arsen Lleshit. Në minutën e 76 të takimit, Lleshi do të dërgonte topin në rrjetë dhe do t’i jepte fitoren Elbasanit.
Kjo fitore është e madhe pasi Elbasani shkon në 12 pikë të grumbulluara, aq sa ka edhe Partizani, ndërsa vendi i parë vazhdon të mbahet nga Vllaznia. Nga ana tjetër te Bylis debutojë si trajner edhe Nevil Dede që iu afrua pikës së parë ndaj ish-skuadrës së tij, por nuk ia doli dot ta merrte. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “RTSH Sport”:
Nevil Dede: “Më vjen keq për çunat, kemi bërë një paraqitje të mirë. Diku nga minuta 50-60 patëm një fragment jo të mirë, Ruci shpenzoi shumë energji dhe ishim jo shumë të qartë për mënyrën sesi dilnim. Por kemi bërë një ndeshje të mirë. Na rëndon rezultati, por në këto ditë jam munduar që të rris besimin dhe moralin e futbollistëve. Por do kohën e saj gjithçka, që kur e pranova bashkëpunimin me Bylisin ishte për shkak të moshës së re që ka ekipi dhe dëshirës që ata kanë. Mungesa e eksperiencës së disa lojtarëve bën që të shpenzojmë akoma më shumë energji. Unë nuk kam ardhur këtu për të konsistuar, por për të rritur nivelin e ekipit nëpërmjet lojtarëve. Njohja dhe komunikimi që kam me presidentin e Bylisit vendosi për ardhjen time këtu, kemi shumë vite që njihemi dhe bisedonim gjithmonë për futbollin. Edhe kur kemi qenë kundërshtarë, kemi ruajtur respektin për njëri-tjetrin. Më bindi mosha mesatare e re skuadrës dhe faktit që rrit lojtarët e rinj, talentet”.