Kampionati i vajzave nis në fundjavë, Presidenti Duka takim me arbitret në “Shtëpinë e Futbollit

Sezoni i ri i kampionatit të vajzave 2025 -2026 fillon këtë fundjavë, ndërsa po përfundojnë të gjitha përgatitjet.

Edhe sektori i arbitrimit është gati, pasi arbitret vajza kanë mbyllur me sukses testet fizike dhe seminarin teorik që u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit”.

Gjatë zhvillimit të seminarit me arbitret vajza, Presidenti Armand Duka, zhvilloi një vizitë ku takoi të gjitha arbitret dhe pati një bisedë të shkurtër me to.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar vlerësoi rolin e rëndësishëm të arbitreve në zhvillimin e futbollit të vajzave dhe i inkurajoi të vijojnë punën me profesionalizëm dhe përkushtim, duke ndjekur shembullin e kolegeve që kanë ecur në karrierë.

Në përfundim, Presidenti Duka i falënderoi për kontributin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit shqiptar dhe theksoi se mbështetja e FSHF-së do të jetë gjithmonë e madhe për zhvillimin e futbollit të vajzave.