Kampionati Kombëtar i Futsallës/ Mbyllet java e pestë, fitojnë Tirana & Partizani

Është luajtur java e pestë e Kampionatit Kombëtar të Futsallës, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Ndeshja e parë e kësaj jave ishte Partizani – Flamurtari, që u zhvillua në akademinë sportive “Goga Basket”. Të kuqtë hodhën pas momentin negativ dhe u rikthyen te fitorja, pasi triumfuan 11-5 ndaj Flamurtarit.

Takimi nisi më mirë për vlonjatët që zhbllokuan sfidën që në minutën e dytë, megjithatë Partizani gjeti forcë të reagonte dhe realizoi gjashtë gola që në pjesën e parë.  Fraksioni i dytë nuk pati shumë histori me Partizanin që dominoi takimin dhe në fund triumfoi me rezultatin e thellë 11-5.

Takimi tjetër i javës ishte mes Vllaznisë dhe Tiranës që u luajt në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Bardheblutë triumfuan sërish pasi mundën Vllazninë 3-8. Tirana dominoi takimin dhe realizoi tre gola që ne pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë bardheblutë shënuan edhe pesë gola të tjerë. Në anën tjetër, kuqeblutë realizuan tre gola në pjesën e dytë dhe sfida në fund përfundoi 3-8 në favor të Tiranës.

Këtë sezon bardheblutë nuk njohin kufi duke regjistruar pesë fitore në po aq sfida dhe udhëheqin renditjen me 15 pikë, tetë më shumë se Partizani i vendit të dytë.

Në javën e gjashtë të Kampionatit Kombëtar të Futsallës, Tirana do të përballet në derbi me Partizanin, ndërsa Flamurtari me Vllazninë.

Rezultatet e javës së pestë të Kampionatit të Futsallës & renditja:

Partizani Futsal – Flamurtari Futsal 11-5

Vllaznia Futsal – Tirana Futsal        3-8

Renditja:

1 Tirana Futsal      15 pikë

2 Partizani Futsal  7 pikë

3 Flamurtari Futsal 4 pikë

4 Vllaznia Futsal 2 pikë