Tirana Futsal festoi titullin kampion të Shqipërisë për edicionin 2023/2024. Bardheblutë dominuan edhe takimin e fundit ndaj Partizanit në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke triumfuar 8-4.
Pavarësisht rezultatit, Tirana e kishte siguruar disa javë më herët matematikisht titullin, pas dominimit ndaj kundërshtarëve të këtij sezoni. Ndeshja ndaj Partizanit nisi me dy gola të shpejtë nga Tirana me Kevin Kosova dhe Eradi Mertiri. Të kuqtë ngushtuan rezultatin me Armand Gapin, por bardheblutë shënuan dhe dy gola të tjerë para fundit të pjesës së parë me Ervin Cerën dhe Elvis Muçën.
Fraksioni i dytë nisi me golin e Guido Tepshit për Partizanin, por Tirana shënoi tre gola radhazi me Endri Kacën, Klajvert Gjokën dhe Klevis Malajn. Të kuqtë e gjetën rrugën e rrjetës sërish me Gjecin dhe Ndreun, ndërsa Klajvert Gjoka vulosi gjithçka për bardheblutë dhe sfida u mbyll me shifrat përfundimtare 8-4.
Kjo ndeshje përmbylli edhe sezonin e suksesshëm të Kampionatit Kombëtar të Futsallës, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, teksa për Tiranën ky ishte trofeu i 12-të kampion në historinë e futsallës.
Në përfundim të sfidës, Tirana – Partizani u organizua edhe ceremonia tradicionale, ku të pranishëm ishin, Zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, dhe Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, të cilët i dorëzuan medialjet dhe trofeun e kampionit ekipit Tirana Futsal.
Pas këtij suksesi, Tirana Futsal do të marrë pjesë në turet kualifikuese të UEFA Futsal Champions League.