Në ditën e sotme janë zhvilluar edhe dy takimet e radhës në Superiore, të cilat nisën në orën 13:30. Vëmendja kryesore ishte në përballjen mes Lacit dhe Dinamos. Dy gola të bukur, për një pikë të marrë nga të dy ekipet.
Goli i parë u realizua nga Denison në minutën e 29, ndërsa Qato ktheu baraspeshën në të 72. Kurbinasit ndalin vrullin e Dinamos, që para këtij takimi, kishim marrë tre fitore radhazi. Nga krahu tjetër, Skënderbeu fitoi pastër 0-3 ndaj Erzenit. Frenkli dhe Nikaj realizuan dy gola të shpejt, brenda 6 minutave të para, ndërsa Janaqi në minutën e 76 trefishoi rezultatin. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Mirel Josa: “Jam i kënaqur nga loja, jo nga rezultati. Mendoj se këtë herë loja nuk iu përgjigj rezultatit. Kishim një farë tensioni për të arritur te goli. Megjithatë duhet të themi se Dinamo shkoi vetëm dy herë në portën tonë dhe shënoi një gol. Skuadra ime duhej të ishte më e qetë, duhet t’i zgjidhim më mirë momentet dhe rastet e krijuara në portën kundërshtare”.
Bejzade: “Ne u futëm që ta fitonim ndeshjen, por brenda 5 minutash pësuam 2 gola dhe gjithçka na ndryshoi. Më pas kishim rastin të shënonim te penalltia për 2-1, do na ndryshonte mentaliteti dhe psikologjia. Por kur humb kështu, nuk ke se çfarë të thuash, Skënderbeu e meritoi fitoren. As si lojtar dhe as si trajner nuk kam pësuar ndonjëherë 2 gola për 5 minutat e para. Ndoshta ndikoi fakti se presioni ishte i madh për fitore dhe disa lojtarë nuk e përballuan dot. Kemi kualitet dhe do të reagojmë në ndeshjet në vazhdim”.
Mehmeti: “Dihet që Laci ka një ekip shumë të mirë dhe këtu është fushë e vështirë. Djemtë treguan forcë karakteri. Nuk duhet të bënim asgjë më shumë se çfarë kemi bërë. Thjesht duhej të tregoheshim pak më shumë të kujdesshëm. Kjo ndeshje mund të fitohej nga Laci dhe nga ana jonë. Kur ishim në avantazh mund të kërkonim më shumë gjerësinë e fushës. Duhet të jemi më të qetë dhe të mos marrim kaq shumë karton të verdhë”.