Mirlind Daku u shpall lojtari i ndeshjes në përballjen mes Rubin Kazanit dhe Lokomotivës së Moskës, e përfunduar në shifrat 1-1. Në golin e Rubin Kazan, Daku ka turpëruar lojtarët kundërshtarë duke i dribluar të gjithë dhe më pas me portën e boshatisur, shoku i ekipit do ta dërgonte topin në rrjetë.
Nëse ky rast do të shënohej nga vetë Daku dhe nuk do të kthehej në asist, me siguri do të ishte goli më i bukur i karrierës. Por për të gjithë këtë skenë të ndodhur ka reaguar ashpër ish-trajneri i Rusisë, Boris Ignatiev, që ka kritikuar mbrojtësit e Lokomotivës së Moskës, që nuk ndërhyn me faull karshi Dakut. Gjithashtu Ignatiev me të drejtë shpreh një shqetësim për ndryshimin e kuptimit të futbollit. Në këtë kohë mjafton që një mbrojtës të ndihmojë fazën e sulmit për t’u quajtur i kualitetit më të lartë, megjithëse mund të çalojë dhe të mos bëjë aspak mirë detyrën e tij themelore, të mbrojë.
“Epo, si e lanë mbrojtësit e Lokomotivës, Dakun, që t’i mundte i vetëm në krahë? Një burrë që vrapon nga mesfusha dhe i kalon të gjithë. Së paku, duhet të tregosh që je mbrojtës, bëj një faull, kape nga koka sulmuesin, merr një karton të verdhë. Ndaloje në një mënyrë, diçka duhet bërë. Por nuk duhet të lejojmë të ndodhë një situatë e tillë që Daku vrapon i qetë drejt portës së kundërshtarit dhe shënon gol. Sot në futboll, nuk e kuptoj dot më, mjafton që një mbrojtës t’i bashkohet sulmit, ta ndihmojë sulmin dhe njerëzit thonë: “Oh, mbrojtës i mirë ky”. Kjo është shumë e çuditshme për mua, janë bërë fare të paqarta misionet e lojtarëve nga pikëmpamja e lojës”, tha Ignatiev. /Sport Ekspres/