Nuk ka fitues në Riga. Shqipërinë vazhdon ta përndjekë “mallkimi” i barazimeve me Letoninë. Trabsferta e kuqezinjve ka përfunduar në baraspeshë 1-1. Vendasit befasuan në pjesën e parë me një 11 metërsh të fituar, por Strakosha bëri heroin duke pritur me sukses penalltinë. Rei Manaj shleu gabimin e dy netëve më parë, teksa gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 27, duke krijuar iluzionin e një fitoreje të kuqezinjve.
Por në sekondat e fundit të pjesës së parë, kapiteni i letonezëve, Çernomodrijsi, shtangu Kombëtaren tonë me golin e shënuar nga goditja e këndit. Lojtarët e ekipit tonë kombëtar provuan të shënonin golin e fitores në pjesën e dytë, por pa sukses. Një tjetër barazim për Kombëtaren shqiptare, që venit disi ëndrrën për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët e fushës së blertë kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për mikrofonin e “TV Klan”.
Strakosha: “Duhet të kishim fituar. Kemi humbur 2 pikë dhe nuk jam i gëzuar. Për të ardhur keq për djemtë, sepse luftuam shumë. Humbëm shumë kohë kot te rasti i penalltisë. Me duket se VAR-i nuk po punonte. Bisedimi me Bozhiqin për penalltinë? E pyta se çfarë mendimi kishte. Më tha mendimin e tij për të qendruar në vend. Me këto ekipe duhet të kemi shumë kujdes, sepse një rast mund të ndodhë dhe ata tërhiqen të gjithë pas”.
Mitaj: “Nuk kam se çfarë të them shumë për këtë ndeshje. Ishte një kundërshtar shumë i fortë. Në pjesën e dytë bëmë shumë raste, por nuk bëmë golin. Kur shohim që nuk e bëjmë dot golin aq lehtë, duhet të shikojmë që të mos pësojmë. Shpresoj që të shënojmë në ndeshjet e tjera. E dinim që ata ishin të rrezikshëm nga goditjet standarte, por ishte thjesht një shpërqendrim”./Sport Ekspres/