Partizani ka arritur që të fitojë në përballjen kundër Kukësit, në ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë që u zhvillua në Kukës Arena. Goli i vetëm i takimit është realizuar nga ana e Taipit. Ky i fundit nuk e kishte të vështirë që të shënonte, teksa pas futjes së bukur në krahë të Carës, Taipi do të dilte me portën e boshatisur.
Topi do të shtyhej drejt rrjetë me portën e boshatisur dhe kështu të kuqtë morën një fitore me shumë vlera. Kjo ngre moralin e ekipit të drejtuar nga Orges Shehit, që me derbin e fituar dhe këtë përballje kundër Kukësit në Kupë, lë pas një periudhë jo të mirë rezultatesh. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Orges Shehi: “E kishim vlerësuar shumë këtë ndeshje. Na penalizoi shumë edhe fusha për të luajtur siç donim, ishte e rënduar, për këtë arsye kishte më shumë tranzicion apo krosime. Ishim shumë të kujdesshëm edhe në mbrojtje, jam i kënaqur me performancën që dhanë lojtarët e rinj. Ne kemi nxjerrë një mësim që pësonim gola në tranzicion. Patjetër që kishim raste për ta mbyllur ndeshjen, por jo çdo rast bëhet gol. Duhet të mbajmë fort urinë dhe dëshirën që ne kemi tani. Skuka? Informacioni i parë është që ka kontraktim, urojmë shumë të jetë kështu. Lutemi që të mos ketë pësuar tërheqje”.