Derbi i kryeqytetit ka përfunduar me rezultatin 0-0. Partizani dhe Dinamo janë larguar me rrjeta të paprekura nga “Arena e Demave”. Ndeshja ka prodhuar raste për të dyja skuadrat, por asnjëra prej tyre nuk pati saktësinë e duhur përpara porte.
Një pikë e vlefshme për Partizanin, që tashmë merr kreun në “Abissnet Superiore”. Të kuqtë aktualisht kanë grumbulluar 28 pikë, një më tepër se Egnatia e vendit të dytë. Në krahun tjetër, Dinamo vijon të ngjisë pozicionet në renditje, teksa tashmë është vetëm një pikë larg ‘final four’-it. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Mehmeti (Dinamo): “Sidomos kur nuk merr gol nga një skaudër që ka një vijë të parë të sulmit me elemente shumë të rrezikshme si Partizani, jam shumë i kënaqur. Quhet derbi sepse është i paparashikueshëm. Mendoj se barazimi ishte rezultati i drejtë. Në pjesën e dytë patëm raste më të pastra, por edhe Partizani pati një rast në fund. Ne do të hyjmë në merkato. Duhet të rrisim patjetër konkurrencën në skuadër, sepse ajo rrit edhe cilësinë. Do bëjmë një analizë të shkurtër dhe të vendosim pikat mbi ‘i’ se ku do të ndërhyjmë në merkato. Entuziasmi na ka ndihmuar në aspektin psikologjik për të na rritur besimin. Skuadra ka vlera. Edhe në aspektin taktik jemi përmirësuar. Kemi tre ndeshje pa pësuar. Ky është një factor që të mban në ekuilibër. Do të kemi kohën tonë që të sulmojnë zonën e kundërshtarit, siç e mbushëm sot me shumë raste të humbura.”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/