Kërkon të jetë i pamposhtur edhe ndaj Elbasanit, Dobi: Kur të mbështesin tifozët, energjia vjen nga zemra

Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, doli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Elbasanin, që do të zhvillohet të shtunën në orën 19:00 në “Elbasan Arena”. Duke vlerësuar kundërshtarin, trajneri u shpreh se prioritet është stabiliteti dhe vazhdimësia në kampionat.

Mister, seri pozitive pa humbje sa e rëndësishme është për moralin para ndeshjes me Elbasanin kryesues?

Gjithmonë një seri pozitive ka domethënien e vet. Ajo tregon se lojtarët janë në linjën e duhur dhe kjo është një motivim shtesë. Ne e kemi thënë gjithmonë që rezultati është më i rëndësishmi dhe kur ai vjen, padyshim që rrit besimin.

Çfarë prisni nga lojtarët në këtë transfertë?

Pres një fokusim jashtëzakonisht të madh, stabilitet dhe natyrisht vazhdimësi në performancë.

Elbasani është një skuadër që di të marrë rezultate në shtëpi. Ku mendoni se do të jetë çelësi i ndeshjes?

Po të ekzistonte një çelës i thjeshtë, gjithçka do ishte më e lehtë. Por në futboll çelësi është gjithmonë i njëjtë: ekipi që bën më pak gabime, del fitimtar.

A do të shkojë Teuta në Elbasan për 3 pikët?

Patjetër që po. Ne kur hyjmë në fushë, hyjmë për të fituar, jo për të pritur. Mentaliteti ynë është i qartë: dëshirë, vullnet, angazhim për të marrë maksimumin. Normalisht, çdo ndeshje në kampionatin shqiptar është e vështirë, ndaj kemi respekt për kundërshtarin. Por njëkohësisht duhet të respektojmë edhe veten tonë dhe punën tonë, që të rritemi në nivel. Fokusi ynë është vazhdimësia dhe stabiliteti.

Sa e rëndësishme është mbështetja e tifozëve durrsakë edhe në transfertë?

Mbështetja është gjithmonë jetike. Ashtu si çdo njeri në jetën e përditshme ka nevojë për suport, edhe ekipi ka nevojë për tifozërinë e vet. Kur sheh një tifozëri të zjarrtë që të mbështet, motivimi dhe mobilizimi rriten më shumë. Në ato momente, skuadra nuk jep vetëm maksimumin, por jep edhe më tepër, sepse energjia vjen nga zemra.

Çfarë elementësh kërkoni të përmirësoni pas ndeshjes me Vllazninë?

Kryesisht përqendrimin dhe organizimin e lojës. Ndoshta në pjesën e parë nuk ishim në nivelin që kërkonim, por kjo është diçka për të cilën punojmë çdo ditë.

A keni menduar ndryshime në formacion, apo do të vazhdoni me të njëjtën skemë?

Gjithmonë mendojmë dhe shikojmë cila është zgjedhja më e duhur për ndeshjen që kemi përpara. Dispozitat e çdo takimi janë të ndryshme. Do të diskutojmë me stafin dhe mund të ketë disa ndryshime, por deri tani skuadra ka dhënë një reagim shumë të mirë në fushë, pavarësisht disa luhatjeve mes pjesëve. Jemi në proces, ndaj do të vazhdojmë punën me të njëjtin seriozitet, për të rritur akoma më shumë përqendrimin, fokusin dhe organizimin e lojës.