“Këtë doja, tani nuk kam më dhimbje”! Armando Broja karikon edhe tifozët shqiptarë: Tani vjen koha ime

Armando Broja zgjodhi që të rrezikonte gjithçka në ndeshjet e marsit me Shqipërinë. Pavarësisht se po vinte nga dëmtime të shpeshta, Broja nuk e mendoi dy herë t’i bashkohej Shqipërisë edhe në momentin që nuk ndihej ende në 100% e tij. Ndihmën e tij e dha duke na ofruar sadopak sinjale pozitive në shpërthimet ndaj Anglisë dhe njëkohësisht duke kontribuar në dy golat e parë ndaj Andorrës, në të parin duke fituar faullin dhe në të dytin, duke asistuar për Manajn.

Në momentin e asistit për Manajt, fytyra e Armando Brojës i thoshte të gjitha. Nuk ishte një festim, ishte një pamundësi, një dëshpërim dhe inat me veten, e ndien veten shumë në borxh me shqiptarët që çohen në këmbë në stadiumet e Europës dhe Shqipërisë sa herë përmendet emri i tij.

Pas super asistit, fytyra e Brojës dukej sikur thoshte: “Më falni, e di që nuk kam bërë ende asgjë për ju, por as vetë nuk e kuptoj se çfarë po ndodh me mua”. Ndoshta Zoti e ka shkruar kështu, që pas vështirësive, të vijë një gol kundër Serbisë dhe ky njeri të shkojë në qiellin e shtatë. Ky besim i madh nuk i mungon as Armando Brojës, një cilësi që e ka karakterizuar gjithmonë. Në një intervistë të fundit për klubin e Everton pas ndeshjes me Arsenal, Broja ka entuziazmuar edhe tifozët shqiptarë duke thënë se tani ndihet gati dhe se nuk ka më asnjë dhimbje në trup. Duket se mallkimi dhe dëmtimet e shpeshta i janë lënë të kaluarës dhe Broja është gati të shpërthejë si dikur në kohën e Southampton.

“Ndihem shumë më mirë tani. Jam i lumtur që mund të kthehem në fushë dhe të luaj pa dhimbje. Kjo është gjithçka që doja, të jem pa dhimbje, të shijoj futbollin tim, të luaj para tifozëve dhe të përpiqem të bëj më të mirën për ekipin. Jam 100 për qind i sigurt, ka shumë për të ardhur nga unë. Më të mirat janë për të ardhur nga unë. Ka shumë më tepër që mund të bëj.

Do të ketë momente ku do të vijnë golat, do të vijnë asistimet dhe unë do të luaj shumë më mirë, sigurisht. Por, siç thashë, gjëja më e rëndësishme për mua është të rikthehem dhe të luaj pa dhimbje dhe thjesht të lë çfarëdo lloj lëndimi që kam pasur në të kaluarën dhe të vazhdoj përpara.

Është shumë e rëndësishme të shënon një gol tani, kur të vjen mundësia duhet t’i tregosh trajnerit, tifozëve, klubit dhe të gjithë të tjerëve se çfarë je i aftë që të bësh, kjo është pjesa e të qenit lojtar. Sigurisht që unë dua ta kaloj atë vijë të bardhë dhe të jap gjithçka kam, por më e mira nuk ka ardhur ende, e di se çfarë jam i aftë të bëj”, tha Broja. /Sport Ekspres/