“Këto fitore janë një motivim”, Duka mesazh ekipeve shqiptare: Asgjë nuk ka mbaruar, duhet i njëjti përqendrim për të kaluar raundin

24 korriku ishte një ditë pozitive për ekipet shqipare në Europë. Dinamo City, Egnatia dhe Vllaznia kanë mposhtur kundërshtarët e tyre në ballafaqimin e parë të turit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Armand Duka ka përgëzuar ekipet e “Abissnet Superiore”-s për rezultatet e arritura.

Kreu i FSHF-së ka përdorur llogarinë e tij në “Instagram” për të përcjellë urimin e tij, por gjithashtu duke i kujtuar skuadrave pjesëmarrëse se duhet të luajnë me të njëjtin përqendrim edhe javën e ardhshme nëse duan që të kualifikohen në turin e 3-të.

“Urime Dinamo City, Vllazni dhe Egnatia! Triumfi në ndeshjet e para të turit të dytë kualifikues të UEFA Conference League është mjaft pozitiv për tre ekipet tona dhe për futbollin shqiptar.

Gjithsesi, asgjë nuk ka mbaruar, duhet i njëjti përqendrim për të vazhduar më tej në raundin tjetër të Conference League. Këto fitore janë motivim për të tria ekipet, që fillimin e kishin të mbarë dhe tani presim të përmbyllin me sukses objektivin për t’u kualifikuar”, ka shkruajtur Armand Duka./Sport Ekspres/