KF Teuta finalizon shitjen e Gabriel Gomes, braziliani ndërron kontinent

Futbollisti i Teutës, Gabriel Gomes, ishte një nga risitë e Superiores në gjysmën e parë të kampionatit.

Me paraqitjet e tij në fushën e blertë, braziliani tërhoqi vëmendjen e opinionit sportiv dhe jo vetëm duke u kthyer në një pikë referimi për repartin difensiv të durrsakëve.

Megjithatë, një ofertë e mbërritur në merkaton e janarit nga Japonia ka ndryshuar rrjedhën e aventurës së tij në Shqipëri, duke bindur drejtuesit e klubit të heqin dorë nga shërbimet e mbrojtësit.

FC Imabari ka trokitur zyrtarisht në dyert e Teutës me një ofertë të konsiderueshme, e cila është pranuar nga klubi për kartonin e Gabriel Gomes, i cili do të firmosë për 2 vite me ekipin e ri.

26-vjeçari përmbushi pritshmëritë e Teutës, duke formuar një mur në mbrojtje me Zogos, ndërsa ishte kërcënim edhe në daljet në sulm, duke tundur rrjetën në fitoren ndaj Flamurtarit 3-2.

Pas rreth 6 muajsh në Superiore, Gomes do të transferohet në Azi për të veshur fanellën e FC Imabari, që militon në J2 League në Japoni.

KF Teuta falenderon futbollistin Gomes për kontributin dhe i uron suksese në aventurën e re.