“Kjo është ndeshje që gëzon trajnerin”! Martini flet pas fitores me Lacin: Sot iki i qetë në shtëpi, më kënaq që nuk pësuam gol

Laci vazhdon të marrë rezultate negative dhe të mos kthehet në vendin që i takon në Superiore. Kurbinasit marrin një tjetër humbje në shtëpi, këtë herë ndaj Teutës. Goli i vetëm i takimit u realizua nga ana e Beqjas.

Në minutën e 42 të takimit, pas goditjes nga lojtari i Teutës, portieri i Lacit u tregua tërësisht i pavëmendshëm duke mos e larguar topin nga zona. Kaq mjaftoi dhe kështu durrsakët do të merrnin 3 pikët nga kjo transfertë e vështirë. Përtej gjithë dëshirës dhe tentativa të tjera, në fund Laci nuk arriti dot që të barazojë rezultatin. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në RTSH Sport:

Martini: “Meritonim të fitonim edhe me Dinamon, por sot fituam këto pikë që i donim dhe na bëjnë mirë edhe nga aspekti psikologjik. Kjo është një ndeshje që gëzohet trajneri, vërtet nuk jam i kënaqur me lojën, por iki i qetë në shtëpi. Ajo që më kënaq më shumë është edhe mos pësimi i golit se kemi pësuar shumë gola në ndeshjet e fundit. Sulmuesit tanë humbin raste, duhet të jemi më të kujdesshëm para porte. Duhet të kuptojmë që sulmuesit tanë lodhen shumë edhe me detyrat mbrojtëse”.