Tashmë është bërë e udhës që në Itali të paragjykojnë ndeshjet e Kristjan Asllanit. Nuk po flasim vetëm për mendime tifozësh, por edhe të mediave apo gazetarëve. “La Gazzetta dello Sport” i dha Asllanit notën 4 kundër Milanit, ndërsa për Sofascore, ishte i dyti më i mirë duke u vlerësuar me notën 7.
Sigurisht që vlerësimi i Sofascore nuk është për t’u marrë në konsideratë deri në fund pasi bazohet vetëm në statistika, por nga nota 7 te nota 4 ekziston një diferencë e madhe që tregon gjithë paragjykimin e italianëve karshi Asllanit.
Dje Kristjani ka nxjerrë një nga ndeshjet e tij më të mira me Interin dhe sërish e shpallën si më të dobëtin, për një humbje që nuk ishte aspak përgjegjësi e tij. Imagjinoni se cfarë do të ndodhte nëse Asllani do të kishte peshën e fajit te kjo humbje. Edhe gazetari italian, Filippo Tramontana, nuk u përmbajt aspak ndaj shqiptarit.
“Derbi u mbyll në mënyrë katastrofë. E pësuam me goditjen e parë në portë. Pjesa e dytë ishte shumë e keqe dhe linja e dytë tregoi se nuk është për Interin. Asllani nuk është në nivelin e Interin, Taremi nuk ishte fare në fushë. Ne luajtëm me 9 lojtarë. Ka një zhgënjim të madh, jam i shqetësuar për anën fizike”, tha Tramontana. /Sport Ekspres/