“Koha fizike e Cikalleshit te Shqipëria ka mbaruar bashkë me moshën”! Alliu: Respekt për gjithçka dha, por erdhi koha për të hapur krahun

Në listën e Shqipërisë, provizore të EURO24, u hapën shumë polemika sa i përket lënies jashtë të Myrto Uzunit, Keidi Bares dhe Sokol Cikalleshit. I ftuar në “Koha Shtesë”, ish-lojtari i Kombëtares, Ilir Alliu, ka dhënë komentin e tij edhe sa i përket lënies jashtë të Cikalleshit, duke i dhënë të drejtë Silvinjos. (Intervistën e plot e gjeni më poshtë)

“Cikalleshi ka dhënë shumë te Shqipëria, ka bërë shumë sakrifica dhe meriton vetëm respect. Por duhet të krijojmë respekt edhe për zgjedhjet e trajnerit. Silvinjo është ai që do të marrë në shpinë ose meritat ose kritikat. Për këtë arsye duhet të jetë i lirë, i pavarur dhe i pandikueshëm në vendimet e tij. Unë gjykoj që koha fizike e Cikalleshit në Kombëtare ka mbaruar bashkë me moshën.

Në aspektin e krijimit të frymës së grupit, mund të kishte ndonjë mundësi që ta mbajë në 26. Por flitet për një sulmues qendre tipik dhe ne kemi në atë rol Dakun, Manajn dhe Brojën. Kemi Brojën, talentin më të madh që ka prodhuar Shqipëria deri tani dhe nuk e lë dot jashtë, ke një lojtar si Daku që po bën mirë në Rusi dhe që për mua, është i dyti pas Brojës, ke edhe Manajn që po bën mirë në Turqi, dhe për mua si kampionat nuk i ka pikët maksimale, por nuk e lë dot jashtë vëmendjes. Unë gjykoj që tre lojtarë në pozicionin e qendrës së sulmuesit, është mëse e mjaftueshme. Për fat të keq, për mua kjo është zgjedhje e drejtë dhe Cikalleshi duhet të hap krahun për të rinjtë”, tha Alliu. /Sport Ekspres/