Koha nuk kursen askënd! Fjalët e pathëna të Indrit Fortuzit, një legjendë u rishfaq rrugëve të…Tironës!

Koha nuk kursen askënd! Fjalët e pathëna të Indrit Fortuzit, një legjendë u rishfaq rrugëve të…Tironës!

Nga Altin Sulçe

Duket i qetë, i qeshur, i rrethuar mes miqsh….

Indrit Fortuzi si zakonisht me një buzëqeshje të stampuar në buzë i pret të gjithë, në një hotel luksoz në zemër të Tiranës, ashtu siç ka bërë tërë jetën e tij pranë njerëzve të sportit

“Do qëndroj disa ditë ketu”, tha “Zogu” duke vazhduar: “Jam në qendër dhe këtu kam akses dhe i takoj me lehtë të gjithë”.

Duket që ka shumë mall, pasi Toronto e Kanadas është e largët, e ftohtë…

Tani është ndryshe, me kilogram me shumë, pa flokët e gjata e të verdha që e identifikonin si “ Zogu”, koha e kishte ndryshuar shumë.

Tashmë ikona kalon rrugës dhe pak e njohin, jo si dikur që e ndalnin në çdo rrugicë, për një përqafim, për një foto, për një moment që atyre njerëzve do t’u mbetej si një kujtim i bukur, prania e Fortuzit do të thoshte shumë, qoftë edhe për pak minuta.

Thonë se koha nuk kursen askënd, në këtë rast, as Fortuzin. “Shumë tani nuk më njohin, u bëra vite larg Tiranës, madje dikush më tha që tashmë ngjaj si Luan Zhegu”, tha Fortuzi me humorin e tij karakteristikë. “Madje te bari thanë për mua është nje futbollist bullgar që ka ardhur në hotel”.

Indriti në Tiranë ishte së bashku me familjen e tij, me bashkëshorten, djalin dhe vajzën.

“Ne Kanada djali luan futboll, por gjithashtu vazhdon studimet, ashtu si edhe vajza. Jemi mirë atje, kemi një biznes tonin dhe kemi shumë miq shqiptarë me të cilët takohemi herë pas here.

Por ajo që më mungon është Shqipëria dhe Tirona. Dua të vij këtë vit të shoh një derbi Tirona -Partizoni, këtë dua ta realizoj brenda 2025.

Kur luajnë këto dy klube më ngjall një ndjenjë shumë të bukur”, thotë Indrit Fortuzi, padyshim një ndër lojtarët më të mëdhenj që ka prodhuar klubi bardheblu.

Aty në kafe kishte edhe Jarin shoferin legjendar të autobuzit të Tironës.

Rrufitja e Kapucionos dhe kujtimet lumë bëjnë që ora të humbasë, pasi historitë janë të pafundme…

Familja Fortuzi bashkohet në tavolinë sepse Tirona gjithnjë ka qenë një familje madhe dhe pikerisht këtu ka qenë themra e akilit , te suksesi i prodhuar në vite.

“Shpejt do takohemi”, tha ish ylli bardheblu,

“Do pushoj ca ditë në Green Cost dhe Mikonos dhe do vazhoj punën në Toronto”.

Kështu mbyllen disa orë me njeriun që la shenjë në memorien e tifozëve me teknikën e tij brilante, me golat e pafund…

Kot nuk ia ngjitën nofkën Zogu. Zogu është shpend i mirë, i butë, i ëmbël, i pakapshëm, e prapë si Zog u largua…