Shqipëria është duke bërë një punë të mrekullueshme në futboll sa i përket viteve të fundit dhe rezultatet e Kombëtares janë një dëshmi e qartë. Kombëtarja është kualifikuar për herë të dytë në histori në Europian, ndërsa ishte edhe në 2016 pjesë e këtij turneu.
Nga krahu tjetër FSHF është për t’u duartrokitur për faktin se nuk po kënaqet vetëm me rezultatet e tanishme, por po punon me seriozitet për të ndërtuar një të ardhme edhe më të ndritur.
Kështu, dy lojtarë shqiptarë që janë shpallur kampion në Champions League-n e të rinjëve, Antzelo Sina dhe Antonis Dama, kanë lënë Greqinë dhe janë veshur kuqezi. E gjitha kjo falë punës së mirë të skautizmit të FSHF, që ka bindur këta lojtarë për të qenë pjesë e Shqipërisë.
Antzelo Sina është ylli i së ardhmes, luan portier dhe është grumbulluar në ekipin e U-21 të Alban Bushit. Ishte titullar me Olimpiakosin U-19 që fitoi Youth League duke mposhtur në finale Milanin me rezultatin e pastër 3-0. Ai është vlerësuar deri në atë pikë aq sa u shpall portieri më i mirë i turneut të Youth League.
Portieri 20 vjecar ka bërë 4.5 pritje për ndeshje në turneun e Youth League dhe kishte një saktësi prej 86% në ndërhyrjet e tij. Ndërkohë në finale Sina bëri 7 pritje, pasoi 44 herë dhe kishte 10 pasime të sakta që shkuan në thellësinë e mbrojtjes së Milanit, duke marrë emrin “ëngëlli mbrojtës” i Olimpiakosit.
Gjithashtu për të ishin shumë skautë nga ekipet elitare të Europës që shkuan në stadium për ta ndjekur. Ndërkohë për të vlerësuar punën e madhe të FSHF qëndron fakti se sipas mediave greke, Shqipëria e kontaktoi Sinën dhe e dëshironte që përpara se të bënte këtë paraqitje të mrekullueshme me Olimpiakosin. Pavarësisht dëshirës së madhe të Greqisë për ta marrë në Kombëtare, Sina zgjodhi Shqipërinë.
Por jo vetëm Sina, një tjetër lojtar që doli kampion me Olimpiakosin U-19 la Greqinë dhe zgjodhi Shqipërinë. Antonis Dama, është mbrojtësi 18-vjeçar që ka firmosur kontratë profesionale me Olimpiakos pasi shihet me prespektivë të madhe. Pasi zhvilloi 3 ndeshje me Greqinë U-16, Dama iu bashkua Shqipërisë U-19 të Ahmatajt. Dama nuk ka të njëjtën jehonë me Sinën, teksa në ndeshjet e Youth League ka ardhur në fushë kryesisht nga stoli, megjithatë sipas pritshmërive, thuhet se do të arrijë në nivel të lartë. Gjithmonë e kemi theksuar, e gjitha kjo vjen edhe falë arritjes së Shqipërisë për herë të dytë në Europian në tetë vitet e fundit. /Sport Ekspres/