“Kombëtarja është shtëpia ime”, Broja vlerëson tifozët: Ishin të mrekullueshëm sot

Shqipëria e ka nisur me humbje fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë u mposhtën në “Uembli” nga Anglia me rezultatin 2-0. Golat u shënuan nga Luis-Skelli dhe Harri Kejni. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë intervistat e tyre për “TV Klan”.

Broja: “Nuk luan gjithkush në këtë stadium. Është një nga stadiumet më të mirë në botë. Unë kam lindur këtu dhe është e veçantë të luaj kundër Anglisë me Shqipërinë, vendin tim. Ka qenë një sezon i vështirë për mua, për trupin tim. Tani dua të kthehem në një formë të mirë dhe me shpresë pa dëmtime. E dija që nuk mund të luaja 90 minuta, sepse tani jam kthyer.

Bëra stërvitjen dhe me tha trajneri: “Bëhu gati, sepse mund të luash 30 minuta”. Në atë moment thashë që po, mund të luaj për Kombëtaren. Më pëlqen shumë të luaj për Kombëtaren. Është shtëpia ime, është zemra ime. Edhe tifozët sot ishin të mrekullueshëm. Na kanë dhënë kurajo dhe ishin shumë, shumë të mirë. Na kanë dhënë shumë kurajo. Jam shumë i kënaqur që jam kthyer sërish”./Sport Ekspres/