Bordi ekzekutiv i Federatës Evropiane të Futbollit mori një vendim sipas të cilit në tre vitet e ardhshme do të ndahen 4.4 miliardë euro për klubet që marrin pjesë në garat europiane, ndërsa njeriu i parë i futbollit evropian, Aleksandar Çeferin, sulmoi ashpër Superligën. Në hapjen e Kongresit, Çeferin iu drejtua anëtarëve të UEFA-s, ku në një fjalim të ashpër sulmoi ata që duan të organizojnë Superligën. Njeriu i parë i UEFA-s nuk kurseu gjuhën, duke i konsideruar grabitqarë që u intereson vetëm kapitali dhe pushteti.
“Futbolli është një nga gjërat e pakta ku Evropa është lider. Ne duhet të jemi krenarë që ky sukses bazohet në një model, në solidaritet, në promovime dhe rënie. Ne duhet ta mbrojmë këtë model nga ata që përpiqen ta shkelin atë. Ata paraqiten si shpëtimtari i futbollit dhe në realitet po i hapin varrin, janë grabitqarë. Uniteti është e vetmja gjë që mund të na shpëtojë. Fatkeqësisht duket se ka vetëm një ligj të vlefshëm në BE dhe ai është Ligji i tregut. Jo të gjithë mund të blejnë futboll”, tha Ceferin. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/