“Kristjan Asllani jep shpirtin në fushë”! Lautaro Martinez flet për shqiptarin: Na duhen lojtarë të tillë, unë i transmetoj vizionin tim Asllanit

Interi ka marrë fitoren e radhës në Serinë A. Zikaltrit kanë mposhtur Empolin me rezultatin 3-1. Protagonist në të takim ishte edhe Kristjan Asllani. Mefushori ka marrë minuta të plota në këtë sfidë, ku ka dhënë kontributin e tij në marrjen e tre pikëve.

Në minutën e 79, Asllani dha asistin nga goditja e këndit për Dumfrisin. Ky i fundit më pas e dërgoi topin me kokë në rrjetën e Empolit për të dytën herë gjatë takimit. Edhe njëherë tjetër Asllani tregon aftësitë e tij edhe në ekzekutimin e goditjeve të ndaluara, ndërsa vetëm pak javë më parë do të shënonte nga goditja e këndit në Kupë. (Shiko asistin e Asllanit më poshtë)

Gjithashtu vlen të theksohet se për herë të parë ose për të qenë më të saktë, nga të paktat raste, Asllani luajti për 90 minuta në fushën e blertë dhe nuk u ndërrua nga trajneri. Mesfushori shqiptar ka marrë një prej notave më të larta, ndërsa ka përshkruar më shumë kilometra se të gjithë lojtarët e tjerë të Interit.

Menjëherë pas ndeshjes, lojtari i Kombëtares ka marrë edhe vlerësimet e mëdha te Interi. Fillimisht ishte autori i golit, Dumfries, i cili u shpreh: “Goli im? Ishte një asist i bukur që më dha Kristjan Asllani, ekzekutim perfekt i goditjes së këndit, ai është një lojtar i madh”, tha Dumfries.

Nga ana tjetër, ndihmës trajneri i Interit, Farris, ka ngritur në qiellin e shtatë Asllanin. “San Siro është një stadium i lodhshëm, të jep shumë presion në këmbë. Ne si staf i Interit duam që të duartrokasim dhe urojmë Asllanin për performancën e treguar kundër Empolit, bëri një ndeshje të madhe. Ka marrë shumë kritika pas ndeshjes me Bologna-n dhe sot tregoi të gjitha cilësitë e tij”, tha Farris.

Gjithashtu për shqiptarin foli edhe Lautaro Martinez. “Kam menduar gjithmonë të përmirësohem që kur kam luajtur futboll dhe gjithmonë shoh të përmirësohem. Dhe këtë dua t’i përcjell Asllanit dhe lojtarëve të rinj në çdo stërvitje. Asllani gjithmonë bën më të mirën, jep shpirtin në fushë dhe ne të gjithë duhet të jemi të tillë, ne kemi nevojë për lojtarë të tillë në dhomat e zhveshjes, njerëz që luajnë më të mirën e tyre. Atëherë gjërat mund të shkojnë gjithmonë mirë, ndoshta edhe keq, por këtu të gjithë duhet të japim 100%. Asllani e jep, të gjithë e bëjnë. Ata që luajnë për Interin japin 100% për Interin. Jemi krenarë për të gjithë bashkëlojtarët tanë”, tha Martinez. /Sport Ekspres/