Shumë kritika ka pasur për Cristiano Ronaldo-n pasi ai mungoi në varrimin e shokut të ekipit, Diogo Jotës. Në vend të kësaj, lojtari i Al Nassr po shijonte detin dhe pushimet në Mallorca, pa ndryshuar asgjë nga planet e tij. Por përse mungoi Ronaldo në varrim? Motra e tij, Katia Aveiro, theksoi se arsyeja e mungesës ishte fakti se nëse Ronaldo do të shkonte në varrim, të gjithë do të mblidheshin rreth tij dhe do të krijohej një kaos që do të ishte mungesë respekti ndaj personave që ishin aty për një dhimbje të madhe, humbjen e dy vëllezërve.
“Cristiano Ronaldo është një imazh, kudo shkon ka trazira. Nuk shkon në dasma, as në festa datëlindjesh të familjes, të nipit apo të ndonjë eventi tim. Nuk shkon dot as në ndonjë kafene sepse dihet vëmendja që merr. Kur babai im ndërroi jetë, përveç dhimbjes së humbjes së tij, na u desh të përballeshim edhe me sulmin e kamerave dhe syve kureshtarë – në varreza, në çdo vend ku shfaqeshim. Dhe imagjinoni, atëherë vëmendja e publikut nuk ishte as si sot, kur gjithçka është në dispozicion të të gjithëve. Ishte një kaos i madh rreth nesh.
Në funeral morën pjesë edhe presidentë, përzgjedhës të ekipit kombëtar në atë kohë, si Luís Filipe Scolari. Sinqerisht, nuk mbaj mend asnjërin prej tyre. Ata duhet të më jenë afruar, duhet të më kenë mirëpritur, por dhimbja më errësoi shikimin.
Sa i përket dhimbjes, familjes dhe mbështetjes së vërtetë… Nuk mund ta kuptosh këtë derisa ta kalosh vetë nëpër të. Nëse dikush më dërgon një mesazh duke kritikuar ndonjë gjë që bën vëllai im, do ta bllokoj. E injoroj plotësisht.
Po lodhet, ky fanatizëm. Kritika për asgjë – e përsëris: për asgjë. Një sëmundje e shoqërisë. Ne të gjithë kemi familje. Është e turpshme dhe e neveritshme të shikosh kanalet televizive, komentatorët dhe rrjetet sociale që nxjerrin në pah mungesën e dikujt, në vend që të flasin me dinjitet dhe respekt për dhimbjen e një familjeje që është shkatërruar nga humbja jo e një, por e dy vëllezërve. Më vjen turp të shikoj. Është e trishtueshme.
Por kështu shkon kjo botë… Shoqëria dhe opinioni. Sot nuk vlen më asgjë. Dhe vetë shoqëria është bërë një humnerë pa fund. Më vjen keq… Dhe lufta është e tillë. Më besoni. Ligësia njerëzore është gjithashtu luftë. Dhe çdo ditë duhet të luftojmë kundër saj”, shkruan motra e Ronaldos. /Sport Ekspres/