Ndryshe nga vitet e fundit, këtë herë futbolli i Shqipërisë ka marrë një rritje të madhe në koeficentët e UEFA-s. Shqipëria ishte në rrezik për të humbur ekipe në Europë nëse do të zhgënjente edhe këtë vit, por për fat të mirë, situata ndryshoi. Tre ekipe shkuan në turin e dytë të Conference League dhe dy prej tyre kaluan më tej në turin e tretë të Conference League.
Me kalimin e Dinamos dhe Egnatias, futbolli shqiptar ka marrë edhe 400 pikë të tjera rritje, por që e mban ende në vendin e 45 nga 55 shtete. Megjithatë Lituania ndodhet një vend më sipër me 100 pikë më shumë se Shqipëria dhe me vetëm një ekip në lojë dhe për këtë arsye, shanset janë për një parakalim në vendin e 44.
E njëjta gjë edhe për Estoninë që me një ekip në lojë dhe 300 pikë më shumë se Shqipëria, vendi i 43 është mëse i arritshëm. Maksimumi që mund të arrijë në pozicion Shqipëria është vendi i 42, aty ku ndodhet Malta me 8100 pikë dhe me vetëm një ekip të mbetur në lojë. Një rritje e tillë do të ishte shumë e mirë për Shqipërinë dhe padyshim futja e një ekipi në fazën e grupeve, do të na bënte që të merrnim rritje të tjera dhe në sezonin tjetër, të kishim shanse të mëdha për t’u afruar më shumë me mesin e tabelës në Europë dhe t’i largoheshim fundit. /Sport Ekspres/