Kupa e Shqipërisë/ Të mërkurën & të enjten do të luhen dy ndeshjet e para gjysmëfinale

Të mërkurën dhe të enjten do të luhen dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Vllaznia – Dinamo City është takimi i parë në stadiumin “Loro Boriçi”. Dy skuadra që janë shumë pranë sigurimit të fazës “Final 4” në “Abissnet Superiore” kanë si objektiv edhe finalen e Kupës së Shqipërisë. Të dyja ekipet kanë bërë mjaft mirë deri më tani dhe nesër, në 19:00, do të jetë një ndeshje e luftuar për të hedhur hapin e parë drejt finales së madhe.

Të enjten, në orën 19:00, do të luhet ndeshja e dytë gjysmëfinale, Egnatia – Partizani. Në “Egnatia Arena”, rrogozhinasit, që janë fituesit në fuqi të këtij kompeticioni, do të kërkojnë të sigurojnë një tjetër finale. Kampionët në fuqi vijnë më të qetë në këtë sfidë, pasi në kampionat kryesojnë renditjen dhe kanë siguruar edhe pjesëmarrjen në “Final 4”.

Në anën tjetër, Partizani, pas një ecurie negative, u rikthye te fitorja ndaj Laçit në “Abissnet Superiore”. “Demat” janë në vendin e katërt, një nga skuadrat pretendente për të siguruar “Final 4”, por nga ana tjetër, kanë si objektiv arritjen e finales së Kupës së Shqipërisë, që për kryeqytetasit mungon që prej vitit 2004.