Kurrsesi nuk mund të bënte tifozeri kundër Dinamos, shihni intervistën e plotë të Bulkut për median kroate

Një intervistë e dhënë nga Ervin Bulku për mefian kroate “24sata.hr” ka shkaktuar keqkuptime të mëdha në opinionin sportiv në Shqipëri. Gazetari kroat ka përdorur një lojë mediatike në titullin me të cilin ka hapur artikullin, duke transformuar fjalët e ish-lojtarit shqiptar. Bulku ka qenë pjesë e Hajdukut të Splitit gjatë karrierës së tij si futbollist dhe ka vendosur të flasë për ish-klubin e tij në prag të sfidës kundër Dinamos. Ndihmësi i Silvinjos ka shfaqur respektin e tij për ish-skuadrën, por në asnjë çast nuk ka deklaruar se do të bëjë tifozeri kundër Dinamos në duelin e së enjtes, ashtu siç është pretenduar në media. Bulku thjesht është shprehur se do të pëlqente të ishte i pranishëm në Elbasan për të ndjekur nga afër ndeshjen, ndërsa Hajdukun e sheh favorit në fushë. Një fakt ky që është i pranueshëm dhe i pamohueshëm nga çdo specialist i futbollit, teksa dihen diferencat teknike dhe financiare të të dyja klubeve në fjalë.

“Hajduku niset si favorit. Është një klub më i madh, ka një buxhet shumë më të madh dhe lojtarë më të mirë, dhe çdo gjë tjetër përveç një fitoreje të Hajdukut do të ishte një surprizë e madhe. Nga natyra e punës sime, unë ndjek të gjitha klubet ku luajnë lojtarë të kombëtares shqiptare, kështu që e kam ndjekur edhe Hajdukun për shkak të Adrion Pajazitit. Por kjo nuk është diçka e re për mua, gjithmonë e kam ndjekur Hajdukun, që kur kam luajtur te Poljud.

Përvoja te Hajduku? Ishte viti më i mirë i mundshëm për një lojtar që erdhi te Poljud, ishte koha kur Hajduku festoi 100-vjetorin e tij, luajtëm edhe në Europa League. Debutova kundër AEK-ut. Këto janë përvoja të mrekullueshme që i kujtoj me nostalgji, si dhe njerëzit e dashur që më pritën shumë mirë. Nga trajnerët Poklepovi? dhe Vu?evi? deri te ata që punonin në kuzhinë. Do të doja t’i shihja nëse do të kisha mundësi të shikoja një ndeshje në Poljud, të cilën e konsideroj shtëpinë time, edhe pse kam kaluar vetëm një vit atje. Do të vij në Elbasan në këmbim, por ende nuk kam vendosur nëse do të vij në Split…

Dinamo City është një klub që është rival i Tiranës, për të cilin kam luajtur. Marrëdhënia midis Tiranës dhe Dinamo City është si marrëdhënia midis Hajdukut dhe Dinamo në Kroaci… Ata i luajnë ndeshjet e tyre evropiane në Elbasan, që është rreth njëzet minuta larg me makinë nga Tirana. Stadiumi është i shkëlqyer, fusha gjithashtu, kushtet do të jenë të shkëlqyera. Dinamo ka disa lojtarë të mirë si Baton Zabergja dhe Peter Itodo, të dy janë sulmues të shpejtë, por nuk janë aq të rrezikshëm sa Livaja. Besoja se Rakiti? dhe ai do ta çonin Hajdukun drejt titullit vitin e kaluar. Ndoshta këtë vit Livaja dhe Rebi? do ta bëjnë…

Raci dhe Pajaziti? Raci është i ri, sapo është bashkuar me ekipin kombëtar (Kosova, red.) dhe mund të them vetëm më të mirën për të. Një lojtar shumë interesant i cili, përveç forcës, ka edhe teknikë të mirë, i pëlqen të luajë, gjë që është shumë e rëndësishme në futbollin modern. Është për të ardhur keq që ai nuk do të jetë në gjendje të luajë ndeshje evropiane, por Hajduku ka një lojtar shumë të mirë në planin afatgjatë. Pajaziti është përforcimi i duhur për Hajdukun, ai ka gjithçka që duhet për të qenë një mesfushor i vërtetë dhe modern, dhe kur të përshtatet deri në fund, besoj se do të jetë dominues në mesfushë. E dini, nuk është e njëjta gjë të luash për Goricën dhe për Hajdukun, është një ndryshim i madh, presioni dhe pesha e fanellës së Hajdukut është diçka e veçantë, Hajduku duhet të shkojë për fitore në çdo ndeshje… Por besoj se ai mund ta përballojë mirë.

Gjithmonë i kujtoj me nostalgji ato kohë, për fat të keq, disa nga njerëzit për të cilët po flasim nuk janë më gjallë, por kjo është jeta dhe futbolli. Kam kujtime shumë të bukura për Kroacinë, dhe veçanërisht për Splitin, dhe gjithmonë dua të kthehem. Shpresoj t’ju shoh të enjten…”, ka thënë Ervin Bulku në intervistën e tij të plotë me “24sata.hr”./Sport Ekspres/