Lufta për Topin e Artë prej kohësh nuk ka qenë më emocionuese se sivjet, pasi tashmë po flitet shumë se kush do të jetë futbollisti më i mirë në botë në vitin 2024. Mendimin e ka dhënë edhe Karim Benzema, i cili bëri zgjedhjen e tij.
Pasi Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo dominuan Topin e Artë për më shumë se një dekadë, emocioni më në fund është rikthyer kur është fjala për dhënien e këtij çmimi. Vitet e kaluara ishte e qartë se ishte një luftë mes Messit dhe Ronaldos, por këtë herë gjërat u bënë sërish interesante.
Këtë vit do të jetë interesante të shihet se kush do ta fitojë titullin e lojtarit më të mirë në botë dhe sipas shumë njerëzve në garë do të jenë tre lojtarë. Bëhet fjalë për Jude Bellingham dhe Vinicius Junior të cilët bënë një sezon fantastik në Real Madrid dhe pranë tyre është Rodri që shkëlqeu në fanellën e Manchester Cityt, por edhe kombëtares spanjolle me të cilën doli kampion i Evropës.
Pyetjen se kush do ta marrë Topin e Artë e ka bërë edhe Karim Benzema, i cili e di shumë mirë se si është të fitosh këtë çmim. Ish-sulmuesi i Real Madrid ka dhënë një intervistë për mediat spanjolle dhe ndër të tjera është përgjigjur se kush, sipas tij, e meritonte të fitonte Topin e Artë.
“Unë do të them se është Vinicius sepse e meritoi edhe sezonin e kaluar. Jo vetëm për këtë, por edhe për faktin se ka disa vite që luan në nivel të lartë. Ai ishte mbi të tjerët dhe është një lojtar i kompletuar.
Ai mund ta mposht kundërshtarin vetë, sigurisht me ndihmën e shokëve të tij, por sa herë që Reali kishte nevojë për të ai ishte aty dhe kjo është arsyeja pse ai e meriton Topin e Artë. Ai gjithmonë shfaqet kur i nevojitet dhe kjo është arsyeja pse Vini është i preferuari im”, tha Benzema. /Sport Ekspres/