Berat Gjimshiti ishte i pranishëm në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme kundër Letonisë. Mbrojtësi theksoi se ekipi është i përqendruar dhe premtoi se djemtë do të japin gjithçka për të dalë me fitore nga ky takim.
“Presioni është i mirë sepse me anë të presionit ka më shumë përqendrim. Gjëja më e bukur është se kualifikimin e kemi vetë në dorë, kjo është më e rëndësishmja. Sigurisht që kemi gabuar shumë me Letoninë në transfertë. Kemi gabuar dhe futbolli sot nuk të fal, nuk është njësoj si futbolli i para disa viteve që mund të fitosh thjeshtë. E kam ndjekur dje ndeshjen Lituani-Hollandë, në fund 2-3.
Duhet të fitojmë nesër, do të japim gjithçka për fitore, për ëndrrën e Botërorit. Të kualifikohesh në Botëror është një rast që të vjen njëherë, dy herë në jetë, ky është rasti më i bukur që kemi. Ky është shansi ynë i fundit për të qenë në garë deri në fund, vetëm nëse gabojnë të tjerët, por nuk besoj, nesër është shansi ynë i fundit”, tha Gjimshiti. Nga ana tjetër, trajneri Silvinjo u shpreh edhe për vështirësitë e kaluara nga ndeshja me Gjibraltarin.
“Shikoni djema, po flasim për gjëra të ndryshme. Në futbollin e sotëm nuk ka ndeshje të lehtë, asnjëherë. E pamë edhe Letoni-Serbi, ishte e luftuar, deri në fund, deri në minutën e 90. Përvec ndonjë rasti të rrallë, ndonjë niveli si Spanja, sot nuk fitohet më 6-0, ndodhin, por shumë rrallë. Ne nuk jemi në atë lloj niveli. Ndërkohë me Gjibraltarin ishte një ndeshje miqësore ku ne futëm shumë lojtarë të rinj, Dajsinani, Kacurri, Medon Berisha, Pajaziti, Shpendi. Medon Berisha ka shumë muaj që grumbullohet me ne, duhej ta shikoja, më duhej ta shikoja nga minuta e parë, pas gjashtë muajsh, për herë të parë po luante titullar me Shqipërinë.
Ishte një atmosferë tjetër aty, por që t’i kërkosh këtyre lojtarëve që të fitojnë 6-0, është pak e vështirë. Sigurisht që edhe unë prisja më shumë, sigurisht që edhe ata vetë prisnin më shumë nga vetja, por ishte një ndeshje me histori tjetër. Nesër do të kemi ndryshime në formacion, si në pjesën mbrojtëse dhe atë sulmuese. Thashë se luajtëm mirë me Gjibraltarin? Po çfarë prisnit që të thoja?
Kishim 4 lojtarë që luanim për herë të parë për Kombëtaren, 20-21 vjeç. Nuk mund t’i them dot me ndeshjen e parë që luajtën shumë keq, që nuk duhe të dalin më në fushë. Jo, duhet t’i japim kurajo, duhet t’i japim kurajo që të vazhdojnë. Kam parë gjëra të mira dhe të këqija, por nuk mund t’i vendos në presion që në ndeshjen e parë. Nuk mund t’i them që futuni në fushë dhe shënoni 3 gola. Më korrigjoni nëse gaboj, por nuk di nëse ndonjë lojtar i Shqipërisë të ketë shënuar një 3 golësh”, tha Silvinjo. /Sport Ekspres/