Për shkak se shqiptarët janë më të shumtë në emigrim sesa banojnë në Shqipërinë zyrtare, FSHF duhet të bëjë një punë të madhe edhe për të fituar futbollistët që lindin në vende të ndryshme, për t’i veshur kuqezi dhe që të mos tundohen nga Kombëtaret e tjera.
I ftuar në “Opinion”, Armand Duka konfirmoi se Kumbulla dhe vëllezërit Shpendi, Stiven dhe Kristian kanë marrë ftesë nga Italia, por zgjodhën Shqipërinë me zemër. “Kumbulla dhe vëllezërit Shpendi janë ftuar nga Italia, por ata zgjodhën Shqipërinë.
Nëse unë do të isha si lojtar, do të zgjidhja Shqipërinë. Jo vetëm për patriotizëm, por qoftë edhe për interes sportiv. Nëse do të shohim historinë e futbollistëve që kanë refuzuar Shqipërinë, përveç lojtarëve të Zvicrës, të tjerët nuk është se kanë bërë ndonjë karrierë. Kemi Shkodran Mustafin që ishte super talent dhe zgjodhi Gjermaninë. Në rregull, doli kampion bote dhe nuk luajti më, por më shumë emocione ka marrë Lorik Cana me Shqipërinë se Shkodran Mustafi që fitoi Botërorin me Gjermaninë”, tha Duka. /Sport Ekspres/