Gazetari sportiv Fatjon Baze foli sot në emisionin “Kubi Sportiv”, që transmetohet në Euroneës Albania nga Drilon Xhepollari, për situatën aktuale ku ndodhet lojtari i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani. Mesfushori kuqezi ka dalë jashtë planeve të klubit të Torinos dhe është në kërkim të një ekipi të ri. Sipas gazetarit Fatjon Baze, kjo situatë negative e Asllanit ka një ndikim edhe te ekipi ynë kuqezi, pasi “truri i Kombëtares shqiptare ka dalë jashtë funksioni”.
“Të gjithë, duke nisur nga stafi i Kombëtares e deri te tifozët dhe gazetarët, jemi sy e veshë se cila do të jetë e ardhmja e Kristjan Asllanit. Shpresoj shumë që ky ngërç ku ai ndodhet për të ardhmen e tij të marrë një zgjidhje sa më shpejt. Kjo për shkak se ai është një element mjaft i rëndësishëm në formacionin dhe mesfushën e Kombëtares.
Dhe në këtë moment, truri i Kombëtares sonë është jashtë funksioni. Një moment jo i mirë, pasi na pret një ndeshje e rëndësishme në mars ndaj Polonisë dhe nuk jemi në kushtet që një nga elementët më cilësorë që ne kemi të jetë pa ekip dhe pa minuta. Tani Asllani duhet të gjejë një skuadër ku, përveç kushteve që ai kërkon, të ketë edhe minutazhin e duhur”, tha Fatjon Baze.