La Shqipërinë për t’iu bashkuar Zvicrës! Adrian Bajrami kishte luajtur 3 ndeshje me kuqezinjtë, ja çfarë thonë rregullat

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Adrian Bajrami nuk do të jetë pjesë e Kombëtares. Bajrami ka vendosur të largohet nga Shqipëria për të luajtur me Zvicrën.
Pasi është vënë në dijeni për këtë vendim të lojtarit, trajneri Silvinjo ka vendosur të ftojë mbrojtësin Maldini Kacurri, i cili do të bashkohet me skuadrën në kampin stërvitor të kuqezinjve në Malaga gjatë të hënës dhe do të vihet në dispozicion për këto dy ndeshje. Kacurri, i cili ka qenë më parë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave U-17, U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, ftohet për herë të parë në Kombëtaren A.
Në vend të Ylber Ramadanit, i cili nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për shkak dëmtimi, është thirrur Enis Çokaj, mesfushor i Levadiakosit në kampionatin grek, që ka qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares A, ku numëron 5 ndeshje.

Pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet e shtatorit nuk do të jetë as Ernest Muçi, i cili ka vuajtur nga dhimbje të mesit me shenja të inflamacionit të diskut. Pas konsultimit me stafin mjekësor të klubit dhe doktorin e Kombëtares, është vendosur që ai të mos thirret për këto ndeshje.
Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë sulmuesin Cristian Shpendi, i cili grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren A, pas aktivizimeve me ekipet kombëtare të moshave U-19 dhe U-21.

Padyshim që ftesa për Cristian Shpendin është një lajm i mirë për Shqipërinë që pasi vuajti me Adrian Bajramin, duket se nuk do të bëjë të njëjtin gabim. Adrian Bajrami ishte grumbulluar shumë herë te Shqipëria, por nuk luajti asnjë minutë në një ndeshje zyrtare me Shqipërinë. Në tre ndeshjet që Bajrami ka luajtur kanë qenë takime miqësore te Shqipëria dhe tani duket se Adriani do të shfaqet në listën e ekipit të parë të Zvicrës pasi rregullat ia lejojnë. Gjithmonë ishim mësuar që lojtarë që nuk kishin hapësirë te Zvicra të vinin te Shqipëria, por për herë të parë po ndodh e kundërta, lojtarë që nuk kanë hapësirë te Shqipëria po ikin te Zvicra. A është ky një luks i Shqipërisë?