Në ditën e sotme janë luajtur dy takimet e vlefshme për Play Off-in e Kategorisë së Parë dhe ka pasur rezultate befasuese. Burreli-Pogradeci dhe Besa-Apolonia ishin dy takimet që përcaktuan çiftin finalist dhe më pas fituesi i kësaj finale do të përballet me vendin e 8 të Superiores, për të vendosur se kush do të jetë në elitën e futbollit shqiptar në sezonin tjetër.
Surpriza e madhe ndodhi në Burreli-Pogradeci. Burreli ka qenë surpriza e bukur e këtij edicioni të Kategorisë së Parë duke u renditur në vendin e katërt në kampionat dhe në javët e fundit arriti të dilte me pikë në dy ndeshjet ndaj Besës së Kavajës dhe Flamurtarit, dy rivalët që i kishte para vetes.
Në katër ndeshjet e fundit direkte, Burreli e kishte mundur gjithmonë Pogradecin dhe ndeshja e sotme dukej formale për të përcaktuar Burrelin si finalist. Megjithatë në ndeshjen e vetme me rëndësi jetike Pogradeci e mundi Burrelin 0-1 falë golit të Krasniqit në minutën e 21.
Me këtë rezultat, është Pogradeci që shkon në finalen e Play Off. Nga krahu tjetër Besa e Kavajës për pak do të hidhte në erë gjithë sezonin në Kategorinë e Parë ndaj Apolonisë. Deri në fund Besa ka luftuar me Flamurtarin për vendin e dytë që të dërgon direkt në Superiore, por në fund përfunduan në të tretin.
Në ndeshjen kundër Apolonisë, miqtë kaluan në avantazh me Maksutin në të 75. E kur pritej befasia e madhe, Abdulai ktheu baraspeshën në të 86 për të dërguar shifrat në 1-1. Për shkak të renditjes më lartë në kampionat, me vendin e tretë, Besa ka kaluar në finale me këtë barazim, një finale e Play Off që do të luhet mes Besës dhe Pogradecit. /Sport Ekspres/