LAJM I FUNDIT/ Fillojnë tensionet! Serbia arreston një shqiptar, futi flamur të UCK për ndeshjen

Jemi dy ditë para ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, por tani tensionet kanë filluar zyrtarisht. Vetëm pak minuta më parë, Ministria e Punëve të Brëndshme në Serbi ka dalë me një deklaratë, në bashkëpunim me Administratën Doganore. Ato tregojnë se kanë arrestuar një shtetar nga Shqipëria nën dyshimin se ka kryer veprën penale nxitje e urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare. Ky ishte njoftimi i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të punëve të brëndshme Ivica Dacic.

Arrestimi është kryer në pikën kufitare të Merdares, teksa shqiptari po hynte nga Kosova për në Serbi nëpërmjet një furgoni. Policia serbe ka gjetur pesë çanta me një sasi të madhe materialesh ku gjendeshin bluza, kapele dhe flamuj të UCK. Një lëvizje e tillë tregon se pavarësisht se Serbia nuk i nxori biletat në shitje, shqiptarët nuk do të mungojnë as në Leskovac. Këtë e di më së miri edhe Federata Serbe e Futbollit e cila ka bërë disa herë thirrje se biletat që po qarkullojnë në treg të zi do të jenë të pavlefshme.

Por padyshim që futja e materialeve të tilla dhe rrezikimi deri në këtë masë tregon qartë se në Leskovac do të ketë tifozë shqiptarë të cilët vazhdojnë të rrezikojnë për Kombëtaren. Serbia është në alarm të plot dhe ka shtuar masat e sigurisë pasi edhe vetë presidenti i Federatës Serbe të Futbollit ka njoftuar se Serbia do të përballet me një dënim të rëndë përjashtimi për disa vite nga futbolli nëse ndodh një skandal kundër Shqipërisë. Pavarësisht mënyrës dhe nga mund të vijë skandali, në fund fatura i mbetet vetëm Serbisë për shkak të organizimit të ndeshjes.

“Biletat për ndeshjen janë të personalizuara në mënyrë strikte, dhe hyrja në stadium nuk do të jetë e mundur nëse emri në biletë nuk përputhet me dokumentin personal. FSS paralajmëron konkretisht se në disa komuna në Serbinë jugore ka pasur interes për blerjen e biletave në tregun e zi, dhe ne paralajmërojmë se çdo blerje e tillë do të thotë humbje parash, pasi hyrja në stadium nuk do të jetë e mundur në këtë mënyrë.

Për shkak të nivelit të lartë të kontrollit, të gjithë çakmakët, monedhat dhe objektet e tjera të forta do të konfiskohen me hyrjen në stadium, dhe kontrolli do të kryhet në dy pika. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë tifozëve me bileta të vlefshme të vijnë herët, në mënyrë që të mund të marrin pjesë në fillimin e ndeshjes pa vonesa dhe në përputhje me rregullat.

Siguria e lojtarëve, zyrtarëve, tifozëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në ndeshje është përparësi absolute e Shoqatës së Futbollit të Serbisë dhe autoriteteve shtetërore. FSS thotë se nuk do të lejojë të ndodhë asgjë që do të rrezikonte lojën dhe kështu do të shkaktonte dëme konkurruese ose financiare për ekipin kombëtar, Federatën dhe shtetin e Serbisë”, shkruhet në Federatën e Serbisë. /Sport Ekspres/