LAJM I FUNDIT/ Firma mbi kontratën e re, Silvinjo nuk vjen më në Air Albania?

“Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizon rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior (Silvinjo), si edhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior, duke konfirmuar vazhdimësinë e projektit teknik që ka sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar.

Kontrata e re me stafin teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me objektivin madhor kualifikimin për herë të parë në histori të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës”.

Ky ishte njoftimi i FSHF pak minuta më parë, ku njofton për zgjatjen dhe rinovimin e kontratës me trajnerin Silvinjo. Kontrata aktuale e tij skadonte në 31 dhjetor të 2025 dhe në këto shtatë ditët e para të janarit, Shqipëria është me letra pa trajner. Tashmë është mësuar se Silvinjo do të jetë në krye të Kombëtares edhe për Play Off-in e Botërorit apo fazën e grupeve, nëse ndodh mrekullia dhe vazhdojmë deri aty.
Megjithatë rinovimi vetëm për gjashtë muaj tregon diçka në lidhje me situatën. Sipas të gjitha gjasave, kjo do të jetë edhe koha e fundit e Silvinjos si trajner i Shqipërisë. E thënë më ndryshe, nuk do ta shohim më këtë trajner në Air Albania. Kjo pasi dy ndeshjet e radhës të Play Off do të luhen në transfertë dhe më pas vjen Botërori në rastin e fitoreve, ndërsa në rastin e humbjeve, Shqipëria nuk do të luante më deri në shtatorin e ardhshëm një ndeshje zyrtare, kur fillon Liga e Kombeve.

Por fakti që kontrata e Silvinjos është rinovuar vetëm për 6 muaj dhe jo më shumë, tregon se edhe energjitë e trajnerit në këtë aventurë të re po vijnë drejt shterimit. Në një rast normal, kontrata do të rinovohet të paktën për një vit, deri në dhjetorin e 2026, por sipas të gjitha gjasave, ka qenë vetë dëshira e trajnerit Silvinjo për ta mbyllur me vetëm gjashtë muaj, për të çuar deri në fund arritjen e bërë prej tij në Botëror. Kjo situatë mund të ndryshonte vetëm në një rast mrekullie ku Shqipëria të shkonte në fazën e grupeve të Botërorit dhe aty të bënte mirë, por edhe në këtë rast, ofertat për Silvinjos nuk do të mungonin.

E parë në një analizë të hollë, rinovimi i Silvinjos me gjashtë muaj do të thotë se ndeshja e fundit e Silvinjos si trajner në Air Albania është bërë dhe me gjasë nuk do të shihet prapë në vendin tonë. Kjo nënkupton më pak shanset edhe për Ernest Muçin dhe Anis Mehmetin, dy lojtarë që kanë qenë jashtë listës së preferencave të Silvinjos, që pasi nuk i futi këta lojtarë në mesin e projektit, nuk mund t’ia lejonte vetes që të bënte një gjë tillë në fundin e projektit. /Sport Ekspres/