Ndeshja çerekfinale e Kupës së Shqipërisë me Tiranës dhe Teutës është vulosur nga ruleta ruse. Përballja e parë në Durrës u mbyll në barzimin 0-0. Ndërkohë ndeshja e kthimit ishte shumë emocionuese dhe me dramë.
Pjesa e parë e këtij takimi u mbyll me shifrat 0-1, falë golit të Peposhit në minutën e 27 nga penalltia. Në aksionin e fundit të takimit, teksa të gjithë te Teuta ishin ngritur në këmbë për të festuar kualifikimin pasi kishin fituar një goditje dënimi, Tirana nisi një kundërsulm të shpejtë dhe Latifi arriti të shënonte. Kështu festa shpërtheu në krahun e Tiranës që e dërgoi takimin në kohën shtesë.
Pa asnjë gol të shënuar në ato minuta, gjithçka u vulos nga 11-metërshat. Kotobelli dhe Jaxhi gabuan nga Teuta, ndërsa te Tirana gaboi vetëm Jonuzi. Me shifrat 6-5 nga penalltitë, Tirana arrin që të kalojë më tej në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. /Sport Ekspres/