Kur Kristjan Asllani zgjodhi pas shumë kohësh që të largohej nga Interi për te Torino, në formë huazimi me të drejtë blerje, mesfushori shqiptar tha se refuzoi shumë oferta për të shkuar te Torino dhe se priti shumë gjatë në kohë pasi kërkonte siguri në projekt. Sipas Asllanit, trajneri dhe presidenti i besoi shumë dhe për këtë arsye zgjodhi një transferim të tillë.
Megjithatë planet nuk shkojnë në shumë raste siç duhet dhe rasti i Asllanit ishte i tillë. Torino ndërroi drejtorin sportiv dhe një nga lëvizjet e para të drejtorit të ri, Gianluca Petrachi, është kthimi i Asllanit te Interi shumë më shpejt se ishte planifikuar, pa çuar në diskutim blerjen e tij sipas formulës.
Pra Asllani do të jetë pas pak ditësh te Interi dhe do të nis me gjasë një tjetër huazim të ri. Drejtori sportiv i Torinos, Gianluca, është pyetur pak minuta më parë për largimin e mundshëm të Asllanit dhe ai e konfirmoi mes këtyre fjalëve: “Duhet të ndryshojmë diçka. E thashë edhe gjatë prezantimit, 3-5-2 është një skemë që do lojtarë funksionalë. Ne kemi 30 lojtarë në listë dhe 3 lojtarë jashtë listës. Lista jonë ka shumë lojtarë, është shumë e zgjeruar dhe është një problem që ne na penalizon shumë.
Duhet të heqim ndonjë lojtar pasi nuk marrim dot një tjetër. Duhet të punojmë tani për këto ndërrime, që të heqim dikë dhe të marrim një tjetër, po shohim për profile të tjera”, tha drejtori sportiv i Torinos duke mbyllur përfundimisht diskutimin për Asllanin dhe duke lënë të nënkuptohet se mesfushori shqiptar nuk mund ta bëjë dot skemën 3-5-2. /Sport Ekspres/