Një tronditje e madhe vjen nga Partizani para nisjes së sezonit të ri në Superiore. Skënder Gega ka vendosur që të mos vazhdojë më punën si trajner në këtë skuadër. Vetëm pak minuta më parë është bërë zyrtare edhe nga ana e kryeqytetasve.
Në të thuhet se Skënder Gega ka paraqitur dorëheqjen nga detyra dhe ky vendim i tij është pranuar nga ana e presidentit Demi. Me Skënder Gegën, Partizani siguroi pjesëmarrjen në Europë, ndërsa u eliminua nga turi i parë i Conference League. Duket qartë se trajneri Gega nuk është aspak i kënaqur me mënyrën sesi kanë rrjedhur gjërat në ekip dhe me lëvizjet e kryera, duke zgjedhur që të mos vazhdojë më tej.
“FK Partizani njofton se trajneri Skënder Gega ka paraqitur dorëheqjen nga detyra, e cila është pranuar nga Presidenti i klubit.
E falënderojmë trajnerin Gega për kontributin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj periudhe dhe i urojmë suksese në vazhdim”, shkruhet në reagimin e Partizanit. /Sport Ekspres/