Hakan Çalhanogluja ka vendosur të qendrojë te Interi. Turku u përfol gjatë për një largim nga Milanoja, teksa pati edhe një reagim të ashpër nga klubi në lidhje me këtë çështje. Lautaro tha hapur në Botërorin e Klubeve se ata që nuk dëshironin të luftonin për fanellën e Interin, le të largoheshin. Ndërkohë, vetë presidenti Marota pohoi në media se mesazhi ishte për Çalhanoglunë. Megjithatë mes lojtarëve nuk ka hatërmbetje. Mesfushori turk ka deklaruar se ka folur me Lautaron dhe se do ta përqafojë kapitenin e tij kur t’i bashkohet skuadrës në stërvitje.
“Çdo vit dalin thashetheme merkatoje. Në këtë rast pak më shumë, por nuk thashë asgjë, sepse doja që tifozët tanë ta shihnin që do të kthehesha sërish. Nuk është e drejtë që të bëjmë gjithmonë komente. Le të shohim çfarë do të ndodhë (për rinovimin). Fjalët e Lautaro Martinezit? Kemi folur. Jemi profesionistë, nuk ka problem. Do ta përqafoj kapitenin kur të kthehet. I kishim mendjet të ngarkuara. Sot jemi të gjithë më të relaksuar dhe po shohim përpara”, ka deklaruar Hakan Çalhanogluja./Sport Ekspres/