Legjionarët/ Manaj dhe Uzuni shënojnë nga dy gola. Mitaj gjen rrugën e rrjetës me Al Ittihad, Muçi jep asist

Fundjava që sapo lamë pas ishte me plot lajme pozitive për legjionarët kuqezi që aktivizohen me klubet e tyre në kampionatet jashtë vendit.

 

Berat Gjimshiti, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni u rikthyen në fushë duhe lënë pas dëmtimet. Kapiteni kuqezi ishte titullar në fitoren e Atalantas në transfertë ndaj Venezia me rezultatin 2-0. Ndërsa Manaj ishte menjëherë vendimtar duke i dhënë fitoren Sivasspor ndaj Hatayspor. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi dy gola. Fillimisht i dha avantazhin Sivasspor në minutën e 43-të, ndërsa në 73-ën shndërroi në gol një penallti. Në fund ndeshja u mbyll me fitoren e Sivasspor 3-2.

 

Këtë fundjavë dy gola shënoi edhe Myrto Uzuni në takimin e Granada ndaj Tenerife. Sulmuesi kuqezi realizoi dy herë brenda 13 minutave në pjesën e parë. Fillimisht në minutën e 20-të dhe më pas në të 33-ën, ndërsa ndeshja u mbyll me fitoren e thellë të Granada 4-0.

 

Mario Mitaj shënoi golin e parë me fanellën e Al Ittihad. Futbollisti kuqezi e nisi ndeshjen nga stoli dhe u aktivizua në të 35-ën. Mitaj e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 81-të duke vulosur fitoren e skuadrës së tij 3-1 ndaj Al Qadisiya.

 

Te goli u rikthye edhe Anis Mehmeti. Futbollisti kuqezi realizoi në transfertë në takimin Middlesbrough – Bristol City. Ndeshja përfundoi 0-2 dhe Mehmeti shënoi golin e parë të takimit.

 

Ernest Muçi dha kontributin e tij me një asist në fitoren e Besiktas 2-0 ndaj Konyaspor. Mesfushori i Kombëtares shqiptare rikuperoi topin në fundin e pjesës së parë dhe shërbeu saktë për Rafa Silvën.

 

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Ylber Ramadani, Nedim Bajrami, Adrion Pajaziti, Amir Abrashi, Keidi Bare, Feta Fetai, Indrit Tuci dhe Arbnor Muja.