Boksieri Leo Xhangoli është kurorëzuar kampion në turneun prestigjioz “Titans Fight 6”, duke siguruar brezin e artë pas një ndeshjeje emocionuese.
Përballë Xhangolit në ring ishte 28-vjeçari anglez Renzo Stocchetti, një kundërshtar që ai dhe trajneri Enton Kikrri e kishin studiuar me kujdes.
Boksieri shqiptar mori kontrollin që nga fillimi, duke dominuar tre raundet prej tre minutash dhe fitoi bindshëm 3–0 me pikë.
Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të zjarrtë në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, ku publiku durrsak e mbështeti deri në sekondën e fundit.
Pas pjesëmarrjes në Europianin në Kroaci dhe Botërorit në Budva, kjo paraqitje e Xhangolit dëshmoi formën e tij më të mirë, me 19-vjeçarin që imponoi teknikë, qetësi dhe kontroll të plotë ndaj kundërshtarit.
I emocionuar pas fitores së 13-të në karrierë, Xhangoli falënderoi njerëzit më të rëndësishëm në jetën e tij: “Këtë fitore dua t’ia dedikoj familjes sime që më ka qëndruar pranë dhe, në veçanti, motrës sime të vogël, Anja, që më jep një motiv ekstra,” u shpreh ai.
Fitorja në “Titans Fight 6” e ngjit Leo Xhangolin edhe një shkallë më lart në karrierën e tij, duke e vendosur mes emrave më premtues të skenës së boksit shqiptar.


