Ndeshja Shqipëri-Serbi supozohej të ishte një finale mes dy ekipeve për të vendosur se kush do të merrte vendin e dytë. Megjithatë nga frika për të mos humbur, të dyja ekipet prodhuan një lojë të vakët dhe në fund kemi ndarë pikët, me një penallti të humbur nga Manaj. Një rezultat që i shkon përshtat Serbisë pasi kjo ishte vetëm ndeshja e parë e tyre në këtë grup dhe mbi të gjitha në shtëpinë tonë. Pastaj, nëse Shqipëria e bëri dramë humbjen në Angli, Serbia mund të kërkojë akoma më shumë dhe ka dy ndeshje me Anglinë, ndryshe nga ne, që e dogjëm një mundësi, humbëm 2-0 atje.
Nga frika për të mos humbur, Silvinjo zgjodhi që të mos e luante finalen në Air Albania, por të shkonte në “All In” në ndeshjet e tjera të mbetura të grupit. Dhe çfarë nënkupton kjo? Llogaria është fare e thjeshtë, Shqipëria mund ta merrte vendin e dytë vetëm në dy mënyra. E para që të fitonte ndaj Serbisë me golavarazhin e 2 ose 3 golave përpara dhe kështu të bënte punën e saj duke mundur ekipet e vogla Andorra dhe Letonia për të pasur vendin e dytë në dorë, por pasi kjo mundësi u dogj, tani fitorja kundër Anglisë në shtëpi është detyrim.
Dhe kjo mund të ndodh vetëm nëse nuk mposhtemi me rezultat të thellë në Serbi. Sepse nëse mposhtemi me rezultat të thellë në Serbi dhe në të gjitha rezultatet e tjera, marrim po të njëjtat pikë sa Serbia, atëherë Serbia na kalon përpara në saj të golavarazhit. Por ekziston edhe një mundësi që Shqipëria të humbi në Beograd dhe të kalojë sërish në vendin e dytë për në Botëror.
Cila është kjo? Ndodh vetëm nëse Serbia merr rezultatet e pritshme, i fiton të gjitha ndeshjet me Andorrën dhe Letoninë, por humb dy ndeshjet me Anglinë. Ndërkohë një rezultat minimal Serbi-Shqipëri 1-0, do të bënte që me ndeshjen e fundit, Shqipëri-Angli, nëse fitohej nga Shqipëria, atëherë diferenca e pikëve do të ishte e njëjta. Ajo që do të hynte në punë për të vendosur vendin e dytë do të jetë golavarazhi dhe jo ndeshjet direkte. Për këtë arsye Shqipëria duhet të mundohet që të fitojë sa më thellë me kundërshtarët e vegjël në letër, në mënyrë që të ketë një distancë golavarazhi me serbët dhe që në ndeshjen e fundit, ta ketë çdo gjë në këmbët e saj kundër Anglisë. /Sport Ekspres/