Ilir Daja ka dhënë një intervistë për emisionin “Elite Show” në “SuperSport”. Trajneri i Ballkanit ka folur për suksesin e jashtëzakonshëm që po përjeton në Kosovë, ku numëron 2 tituj kampionë dhe dy kualifikime në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Daja është përfolur edhe si një nga kandidatët më seriozë për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Kosovës, por vetë ai ka mohuar të ketë pasur komunikime zyrtare me FFK-në.
“Fitimi i titujve janë ditë të veçanta në karrierën e trajnerit, ashtu ka qenë edhe për mua. Por kalimi në ‘play-off’-et europiane janë qershia mbi tortë. I kam përjetuar të gjitha në maksimum, ky përjetim, si titujt me Ballkanin, më mban në tonus dhe në atë përkushtim që kam. Edhe sot pas 29 vitesh.
Ndeshja në Air Albania? Stadiumi i gjithë shqiptarëve, të ofron kushte maksimale për të zhvilluar një spektakël në maksimumin e vet. Kënaqësi të luajmë aty. Ndikoi prishja e terrenit në ‘Fadil Vokrri’, fushë ku kemi patur mbështetje dhe rrugëtim të suksesshëm. Shpresoj të mos na mungojë mbështetja e tifozëve në ‘Air Albania’. Rrugëtimi ynë është edhe rrugëtimi i klubeve shqiptare. Stadiumi i mbushur do të jetë një motiv i madh për lojtarët e Ballkanit.
Ballkani dhe Korça janë dy ambiente shumë të mira për të punuar. Lojtarët në Kosovë kanë një edukatë punë më të madhe se në Shqipëri, por nuk kam patur kurrë probleme me lojtarët. Në Kosovë janë më të durueshëm dhe më të dëgjueshëm se në Shqipëri.
Posti i trajnerit të Kosovës? Kam qenë trajneri i ekipit kombëtar të moshave në fillimet e mia si trajner. Nuk kam ofertë zyrtare, më shumë janë lajme që dalin nga portalet. Zyrtarisht, unë nuk kam asnjë kontakt me asnjë prej drejtuesve të FFK-së. Nuk dua të krijoj alibi. Akoma më pëlqen të jem trajneri i një ekipi. Të stërvis dhe të kem garë në përditshmëri.
Sylvinho? Ka marrë maksimumin dhe ka qenë një faktor në dërgimin e Kombëtares në Europian. Ka bërë punë të shkëlqyer, sidomos në përzgjedhje. Por edhe në menaxhimin e grupit, kjo është një nga gjërat kryesore që ka ekipi. Ka bërë lojë të kujdesshme në mbrojtje në aspektin tekniko-taktik, dhe ka marrë maksimumin prej lojtarëve”, ka deklaruar Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/